Kronikë

U kapën nga Xhelal Mziu dhe militantë të PD me lekë dhe fletë votimi në makinë, lihen në burg nga apeli i GJKKO dy të rinjtë, eksponentë të LSI në Dibër

1 Qershor 2021, 10:26| Përditesimi: 1 Qershor 2021, 12:40

  • Share

Janë lënë në burg nga apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dy të rinjtë, Denis Xholi dhe Albjon Çeku, të cilët u kapën gjatë fushatës zgjedhore me lekë dhe fletë votimi në makinë.

Të rinjtë, eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Bëhet fjalë për zyrtarin e bashkisë së Bulqizës, Denis Xholi dhe i afërmi i tij,  Albjon Ceku.

Ata u kapën 3 ditë para ditës së zgjedhjeve fillimisht nga militantë të PD, me në krye Xhelal Mziun, e më pas policia sekuestroi në automjetin me të cilin udhëtonin një shumë rreth 500 mijë lekë, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Po kështu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për dy militantët e PD-së të cilët akuzohen për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës.

Kujtojmë se menjëherë pas ngjarjes Kryeministri Edi Rama reagoi duke shkruar se bëhej fjalë për inskenim e për kapje njerëzish që nuk kanë lidhje me PS-së, me qëllim që të baltosin partinë. Ndërkohë shtabi Elektoral i PS Dibër sqaroi se Denis Xholi është eksponent i LSI-së.

Ndërkohë që verë Shtabi Elektoral i PS Dibër, teksa bëri thirrje për hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit  shpjegoi për opinionin publik se bëhej fjalë për një person që nuk kishte lidhje me Partinë Socialiste. 

"Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie. Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim.' thuhej në deklaratën e PS Dibër.

Momenti i ndalimit të makinës nga militantët

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?