Policia Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me Doganën, goditën një rast kontrabande me mallra me akcizë në tentativë për t’u kaluar në Kosovë.
Në pranga ranë dy persona, pasi gjatë kontrolleve të kryera automjetet që po lëviznin gjetën një sasi mallrash me vlerë totale 54.350.000 lekë.
Blutë sekuestruan 2 automjetet, 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41 000 tableta, 2 194 celularë dhe 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kg.
"Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Tarifa”.
Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L. dhe automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. M.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41 000 tableta dhe 2 194 celularë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L., u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kg.
Mallrat, me vlerë totale rreth 54 350 000 lekë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 automjetet.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit B. L., 52 vjeç, dhe F. M., 55 vjeç, të dy banues në Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Komente
