Barim Flora, Ardjan Gjoka, Jemin Flora iu caktua masa burg pa afat nga Gjykata e Durrësit, në lidhje me akuzën e trafikut të armëve municione dhe lëndëve plasëse.
Prokurori i çështjes Bledar Bejko kërkoi arrest me burg për 3 personat nën akuzën e trafikut të armëve dhe lëndëve plasëse, akuza që u hodhën poshtë nga avokatët mbrojtës, të cilët thanë se nuk kemi të bëjmë me trafikim armësh, por vetëm armëmbajtje pa leje.
Pas diskutimeve në seancë, gjyqtari Rexhep Bekteshi vendosi masën arrest me burg pa afat deri në përfundim të plotë të hetimeve.
Barim Flora, 42 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, Ardjan Gjoka, 33 vjeç, dhe Jemin Flora, 33 vjeç, kanë rënë në prangat e policisë në Durrës, u arrestuan më 1 qershor tek ‘Mbikalimi i Shkozetit’, pasi gjatë kontrollit të një automjeti tip “Land-Rover Frilander” u gjet 3.6 kg lëndë eksploziv, 1.2 kg eksploziv C-4, 2.2 kg tritol, 3 granata dore luftarake dhe 4 aparate telefoni celular, 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak. Hetimet për këtë grup kishin nisur para një muaji.
Po gjatë ditës së sotme janë arrestuar 3 persona të tjerë të cilët janë kapur me mina me telekomandë. Ata shiteshin nga 2500 deri në 3000 euro në qytetin e Durrësit, për t'u përdorur më pas në ngjarje të ndryshme kriminale. Minat ishin të montuara dhe të lidhura me telefon.