“Kur të vini ju të pedonalja prap si sot, ne do jemi me sniper nga terraca t'jua fusim në lule të ballit! Do dilni ju për kafeee!’’
Pikërisht në pedonale, vend në të cilin u kërcënuan se do ju merrej jeta së bashku me dy fëmijët e tyre, Alba Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e saj Edlira Mara, anëtare të komunitetit LGBTQ+, përfaqësues të Ambasadave të huaja në vendin tonë, protestuan në shenjë solidarizimi.
Aktivistja e kërcënuar Edlira Mara tha se kërcënimi ndonëse ishte në emër të tyre, ai i përket të gjithë pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ+. Ajo kërkoi nga institucionet ligj zbatuese që të merren masa ndaj çdo personi që kërcënon dhe shantazhon.
“Familja jonë është ndërtuar mbi dashurinë, pranimin dhe të drejtën themelore për të jetuar pa frikë dhe barriera. Na bën më të fortë dhe pa të lëkundur për të luftuar në emër të dashurisë dhe familjes tonë. I bëj thirrje të gjitha institucioneve ligj zbatuese që të vej para drejtësisë çdo person që tenton të kërcënoje dhe shantazhoje familjet tona. Askush mos të marrë guximin të na orientoje ne se ku duhet ne ta pimë kafe, se si të duam, vishemi apo ku duhet të ecim. Kërcënime të tilla në sy të dy fëmijëve tonë të mitur është një këmbanë alarmi”, tha Edlira.
Ndërsa aktivistja dhe Drejtuesja e Aleanca LGBT, Xheni Karaj në protestën e solidarizimit, tha se ndonëse jemi më shumë se 30 vite pas nga rënia e diktaturës, historitë e perzekutimit të familjeve po përsëriten.
“Në shqiptarët më mirë se kushdo tjetër e dimë dhe e kemi provuar në lëkurë se cfarë do të thotë të persekutosh një familje, pasi e percepton si të ndryshme nga norma, ta shpallësh atë të rrezikshme për sigurinë e kombit dhe të së ardhmes. Nëse do të kishim reflektuar sic duhet për të kaluarën tonë, ndoshta gabimet e së shkuarës që shkatërruan mijëra familje dhe jetë njerëzish nuk do të përsëriteshin në të tashmen. Jemi 30 vite pas rënies së diktaturës dhe historia po përsëritet duke shpikur një armik të ri. Qytetarët LGBTI dhe familjet që ne po krijojmë po trajtohen si armiq të shtetit dhe të popullit, nga një sistem politik që diskriminon duke na mohuar njohjen dhe mbrojtjen e familjeve tona përmes ligjeve demokratike. Po dehumanizohemi, instrumentalizohemi, stigmatizohemi e portretizohemi si kërcënim nga politikanë, pastorë e hoxhallarë, gazetarë e figura publike që hedhin paturpësisht fletë rrufe, nxisin dhunë përmes gjuhës së urrejtjes dhe më pas e kamuflojnë dhe e justifikojnë me paradigmën e fjalës së lirë dhe mbrojtjes së familjes”, u shpreh aktivistja, Xheni Karaj.
Alba Ahmetaj, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Pro LGBT, pjesëtare aktive e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri, dhe bashkëjetuese me Edlira Marën, të cilat kanë edhe dy vajza të mitura, u kërcënuan me jetë me datë 16 shkurt. Mesazhet kërcënuese ju erdhën në rrjetet e tyre sociale, ndërsa ato profile që ju kanë shkruar tashmë janë mbyllur.