Mëngjesin e 5 gushtit është zhvilluar seanca gjyqësore për 51-vjeçarin shqiptar që vrau të shoqen me thikë në Zakinthos të Greqisë.
51-vjeçari u shoqërua me pranga dhe policë në gjykatë. Të martën, ai i kishte kërkuar gjykatës afat që seanca të zhvillohej sot, e premte.
Ndaj tij rëndon akuza për tentativë vrasjeje dhe vrasje.
Gjatë hyrjes në Gjykatë, 51-vjeçari u kërkoi falje fëmijëve të tij, pa bërë komente të tjera.
Autori i krimit ka shfaqur pendesë për aktin e kryer, përpara Prokurorit në Zakinthos.
Mbrëmjen të dielës së kaluar, 51-vjeçari vrau me thikë të shoqen 40-vjeçare. Ata jetonin në Zakinthos, punonin atje, ndërsa kishin edhe dy fëmijë, dy prej të cilëve të mitur.
Motivi për vrasjen ishte xhelozia që autori kishte ndaj të shoqes.
Para se mbetej e vdekur, 40-vjeçarja Leonorë kishte shkuar në komisariatin lokal të Zakinthosit, ku kishte denoncuar për herë të dytë 51-vjeçarin për sjellje të dhunshme dhe abuzive.
Pasi ajo u kthye në shtëpi, e në kohën kur autoritetet po kërkonin bashkëshortin e saj, ai e ka pritur në hyrje të banesës.
Kur Leonora mbërriti ai nisi ta rrahë. Në tentativë për t’u arratisur, ajo vrapoi te shkallët e fqinjëve, por bashkëshorti arriti ta ndalte. Pasi e goditi disa herë me thikë në qafë, 40-vjeçarja mbeti e vdekur.
Më pas 51-vjeçari u arratis, për t’u arrestuar më pas në zonën e Marathisë, në Keri, ndërsa u gjet edhe thika e vrasjes.
Për ngjarjen tronditëse ka reaguar edhe djali i tyre 20-vjeç.
“Faji është i yni sepse nuk kishim marrë masat e nevojshme. Ky ishte gabimi më i madh i yni. Unë dhe nëna ime folëm për këtë. Ajo ishte nënë perfekte, mua më vjen keq për vëllezërit e mi dhe duhet të gjejmë sa më parë një zgjidhje”, është shprehur djali.