Rrumi i Shijakut

Mori ryshfet 9 mln lekë të vjetra nga Rrumi i Shijakut, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e Shtetit

16 Shtator, 10:08| Përditesimi: 16 Shtator, 10:34

  • Share

TIRANË- Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e Shtetit, Irgen Kërçuku, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ish-avokati Kërçuku është korruptuar nga Rrumi i Shijakut, Aleksandër Laho. Ai mori ryshfet 900 milionë lekë të vjetra nga Rrumi për të mos apeluar në Gjykatën e Apelit një vendim për çështje pronash që kishte me Pal Seçunin. Kërçuku do ta vijojë dënimin në masën arrest shtëpie. 

Rrumi është eksponent i njohur i krimit. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit.

Po si ra SPAK në gjurmët e Rrumit?

Ka qenë përgjimet e qershorit të vitit 2017 që zbuluan lidhjet mes Aleksandër Lahos e Kërçukut për ryshfet. Rrumi shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë të vjetra ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.

Telefoni i Rrumit ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Aleksandër Lahos dhe prokurorit Arian Ndoja, të cilët udhëtonin në një makinë më 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë atentat Rrumi dhe prokurori u plagosën, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Vendimi i Apelit të GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare),  më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit Irgen Kërçuku, kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Irgen Kërçuku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

4. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Irgen Kërçuku i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

5. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

 Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit Irgen Kërçuku. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Go West: 16/09/2024 13:00

    Nje pyetje te thjeshte: Kush i gjen dhe i emron si "mbrojtes te shtetit" keta bandite, a kane emer ata qe i perzgjedhin, a mbajne pergjegjesi? Nuk mjaftojne Hickat, dalin edhe Kercukat dhe kush e di sa te tjere qe paguhen per te mbrojtur shtetin, pasurite tona dhe qe i nxjerrin ne pazar. Nuk do merresha gjate me kercuket, te tille ka plote, por ata qe i perzgjedhin jane shume here me te rrezikshem.

    Përgjigju
  • zakarel zaka: 16/09/2024 11:49

    te denohet maksimalisht dhe gruan tja heqin nga porti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?