Politikë

U largua nga koalicioni me Berishën / Shtjefni për Report TV: Nuk më kanë ftuar në mbledhje, futi në listë ata që kanë 100 vjet në PD! Më zhgënjyen

22 Prill, 17:33| Përditesimi: 22 Prill, 18:06

  • Share

Një tjetër aleat i Berishës është larguar pak ditë më parë, duke e konsideruar si një ‘qejfmbetje’ të madhe shkeljen e marrëveshjes që u servir si një aleancë e madhe e 26 partive.

Zef Shtjefni, kryetari i Partisë ‘Ora e Shqipërisë’, ka folur për Report TV për arsyet që e çuan në vendimin për të ikur nga koalicioni i partive opozitare me në krye Sali Berishën. Ai ka thënë se pas marrëveshjes për koalicionin opozitar nuk janë ftuar në mbledhje dhe kjo ka qenë një arsye që i ka bërë të shkojnë drejt atij vendimi. 

Ai është shprehur se është ndjerë i zhgënjyer nga mënyra se si vepruan me të dhe me partinë e tij, duke thënë se ai nuk kishte qenë asnjëherë në koalicion me të majtën dhe i kishte shërbyer prej vitesh të djathtës.

"Është e vërtetë, unë ka kohë që po e mendoj këtë punë. Ne, pasi bëmë një marrëveshje dhe e lamë që kryetarët e partive të jenë në listën e hapur, ata nuk e bënë as këtë. Edhe unë u prononcova dhe ishte një hatërmbetje e madhe, se një kryetar partie me një eksperiencë të madhe tek e djathta se te e majta s’kam qenë ndonjëherë. Kur më 11 prill që u bë hapja e fushatës, ne nuk kishim asnjë ftesë. Me disa kolegë që unë kam vite dhe i respektoj, shkova aty. U ula aty dhe me një pishman të madh. Sepse nuk mund të më marrë mua njëri nëpërkëmbë, se unë kam ecur vetë në jetë. Kur bënë këta mbledhjen e federatës, siç e quajnë, prapë s’na thirrën. Pastaj thirra përfaqësuesin e partisë ‘Ora e Shqipërisë’ pranë KQZ dhe i thashë: merre letrën dhe çoja Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ai ka marrë një tufë partish të tjera atje, ka dhe ca të tjera që s’i thërret në takim. Unë s’mund ta duroj këtë."-tha Shtjefni.

Shtjefni kujton dhe se në zgjedhjet e 2015-ës, PD-ja e ka shkelur marrëveshjen që ka bërë me partinë e tij në Lezhë. Ai ka sjellë në vëmendje se partia ‘Ora e Shqipërisë’ e ka mundur në Lezhë LSI-në në zgjedhjet lokale të asaj kohe, por sërish demokratët nuk e afruan.

"Partia ‘Ora e Shqipërisë’, në Lezhë në vitin 2015, rrëzoi Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, ku u tha sipas marrëveshjes që ata që kalonin përqindjen e caktuar të votave do të merrnin nënkryetarin e bashkisë. Edhe marrëveshja u prish. Pastaj kam marrë mandatin e deputetit dhe i kam shërbyer Shqipërisë. Kam folur në Kuvend për Reformën në Drejtësi."-tha më tej Shtjefni 

Nga ana tjetër, kreu i ‘Ora e Shqipërisë’ ka thënë se e ka njohur vite më parë Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, dhe shprehet se është i zhgënjyer që ky i fundit veproi në një mënyrë të tillë, ku nuk ka marrë asnjë telefonatë.

"Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së unë e kam njohur prej vitesh, 30 vite më parë. Këtë radhë më zhgënjeu. Se jo vetëm që s’më vuri në listë, por as nuk i ra telefonit. Është zhgënjim i madh. Këta i bëjnë vetë gjërat. Ti shiko listën e mbyllur që kanë bërë, aty janë ata që janë tash e 100 vjet. Ka aty pjesë të listës njerëz të cilët nuk çojnë asnjë peshë. Këta të shtypin me këmbë. Edhe imagjinoje se çfarë të bëjnë këta nëse vijnë në pushtet."-tha Shtjefni. 

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?