Politikë

U largua nga Nisma Thurje, Loku kritika Shabanit: Mandati të shkonte në listën e hapur! Do shihnim nëse Lapaj do mbante zotimin për ta djegur

24 Korrik, 14:53| Përditesimi: 24 Korrik, 15:03

  • Share

Rigerta Loku Tushaj, anëtare e këshillit bashkiak të Mirditës, njoftoi largimin nga Nisma Thurje pas përplasjes publike mes drejtuesve të koalicionit Nisma Shqipëria bëhet për mandatin e vetëm që fitoi më 11 maj. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Loku tha se është e zhgënjyer, duke shtuar se kjo përplasje, i çoi dy partitë e reja shumë pas dhe larg idealit që kishte krijuar në publik.

Ajo ritheksoi se do të vijojë të jetë në Këshillin Bashkiak të Mirditës si anëtare e pavarur, ndërsa largimin nga partia e sheh si mënyrën e duhur për të reaguar kundër vendimeve që bëri Endri Shabani.

“Jam e zhgënjyer dhe e mërzitur në lidhje me këtë vendim që m’u desh të marr, dhe si papritur, por erdhi si rezultat i një procesi jo të drejtë për ndarjen e mandatit të vetëm nga koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet”.  Defekti im i madh është se partitë nuk i shoh të lidhura me individët, por individët lidhen pas partisë, atëherë më duhet mua të bëj një hap pas. Sistemi elektoral na mban peng ne që nuk jemi në gjirin e partisë në asnjë lloj mënyre, edhe nga distanca fizike pasi për të garuar në zgjedhje parlamentare apo lokale, duhet të jesh pjesë e një partie. Kam qenë fanse e partive të reja, që të rinjtë të marrin në dorë politikën, por kur të rinjtë, sillen në mënyrë të vjetër më duhet të distancohem. Kur makina në të cilën jam i largohet atij objektivi nuk më mbetet gjë tjetër që të zbres.”, u shpreh Loku.

Ajo thotë se mandati që mori Kleana Xhuveli është i pamerituar dhe se sipas saj, duhet t'i shkonte një personi në listat e hapura. E pyetur se duhej t'i jepej Adriatik Lapajt, si më i votuari, Loku tha se ishte më shumë dakord që t’i shkonte atij sesa dikujt që nuk është futur në listë për të kandiduar, por vetëm fiktivisht. Më pas, shtoi ajo, Lapaj do të tregonte nëse do ta mbante vërtet fjalën e dhënë se nëse do të merrnin vetëm një mandat më 11 maj, nuk do të shkonte në parlament.

“Në gjithë këtë histori, beteja jonë ka qenë për listat e hapura. Për mua mandati që u mor nga zonja në listën e mbyllur nuk është i saj, i pamerituar. Mandati duhet t'i shkojë listës së hapur, kujtdo mjafton t’i shkonte në listën e hapur mjafton të binim dakord. Unë isha më dakord t'i shkonte Adriatikut se një personi që s’ka garuar asnjë ditë. Adriatiku më pas do të tregonte nëse do të mbante fjalën e dhënë kundrejt elektoratit."

Shprehet kritike edhe ndaj sjelljes së Shabanit, teksa shton se duhet të shkonim përtej kërcënimeve për të mirën e përbashkët.

"Ky proces ishte piramidë e madhe që askush nuk dilte garant për askënd. I kuptoj edhe kërcënimet që ka marrë Shabani, por politika i ka këto. Ne duhet të shkojmë përtej kërcënimeve personale për të parë një të mirë të përbashkët. Lista e hapura nuk ishin një pakt mes Endrit dhe Adriatikut, por një filozofi që do të ndryshonin qasjen politike dhe mendësinë e re. Kjo dështoi për një status të shkruar në FB dhe kundërpërgjigjes të shpejtë po aq negative për këtë mision."

A do të pranonte të bëhej pjesë e Shqipëria Bëhet?

 "Jo, në momentin që flasim as nuk e diskutoj. Do të vazhdoj misionin si këshilltare bashkiake, do të jem e paparti dhe e lirë. Nuk ndihem dhe as nuk e shoh si alternativë të mundshme. Me këtë sjellje që kemi bërë e kemi çuar besimin e shqiptarëve, e kemi thelluar dilemën kundrejt forcave të reja. Kemi shkuar pas dhe nuk e ndjej për momentin të jem pjesë e kësaj gjëje. ", përfundoi ajo.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Parti e Re: 24/07/2025 18:21

    Zonja Loku duhet te formoje nje parti te re , ndoshta “Levizja Gruaja Rurale per Socilaizim dhe Prosperitet” pak a shume parti ne fokus grate rurale keshtu futet ne politike dhe perfaqeson shtresen e zonjave intelektuale ne bujqesi me Thelb rural !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?