Pas 13 viteve lavdie, Luka Modriç i ka dhënë fund një epoke të jashtëzakonshme me Real Madridin. Legjenda kroate ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me fanellën ‘Galaktike’ në humbjen 4-0 ndaj PSG-së, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, duke mbyllur një nga kapitujt më të ndritur në historinë e klubit.
I emocionuar, Modriç foli për Real Madrid TV pas ndeshjes, ku tha se do jetë madrilen përgjithmonë.
“Ka qenë një udhëtim i gjatë, por i paharrueshëm. Kjo është shtëpia ime, Madridi është shtëpia ime e dytë. Real Madridi më dha gjithçka. Do të jem mirënjohës për gjithë jetën time. Do të jem madrilen përgjithmonë”, tregoi ai mes emocioneve.
Që nga bashkimi me klubin madrilen në vitin 2012, Modriç u shndërrua në zemrën e mesfushës së Real Madrid. Me 597 ndeshje dhe 28 trofe të fituar, ai largohet si lojtari më i dekoruar në historinë e klubit, përfshirë: 6 Liga të Kampionëve, 4 tituj La Liga, 5 Kupa të Botës për Klube dhe dhjetëra tituj të tjerë, individualë dhe ekiporë.
“Të jesh lojtari me më shumë tituj në klubin më të mirë në historinë e futbollit është diçka e pabesueshme”, theksoi Modriç me krenari.
Në fjalët e tij të fundit si lojtar i Realit, kapiteni 39-vjeçar nuk la pa përmendur dashurinë e tifozëve dhe momentin më të veçantë.
“Dashuria e tifozëve është në kulmin e saj. Më i veçanti për mua? Finalja e Ligës së Kampionëve në 2014. Dinastia jonë filloi atje.”
Modriç e mbylli karrierën e tij te Reali me një mesazh që përmbledh shpirtin luftarak të klubit.
“Mënyra se si fituam, është ajo që është Real Madridi. Lufto deri në fund, mos u dorëzo kurrë”, tregoi kroati.
Në moshën 39-vjeçare, Modric do vijojë karrierën te Milani.
Komente
