U lind në Shqipëri e u shkollua në Venecia, me Iva Lulashin pavijoni shqiptar i lidhur ngushtë me Bienalen e Artit dhe qytetin e dashurisë

12 Mars, 16:22| Përditesimi: 12 Mars, 16:42

  • Share

“Pavjoni shqiptar këtë vit do të jetë i lidhur ngushtë me Venecian, qytetin e ujit, qelqit e dashurisë” ... E përshkruan në këtë formë kritika italiane pjesëmarrjen e Shqipërisë me Iva Lulashin në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që kurohet nga Adriano Pedrosa.

Artistja u lind në Shqipëri por u shkollua në Venecia dhe vepra e saj “Love as a glass of  Water”, përpos rrugëtimit artistik e jetësor, është në simbiozë me temën  e ekspozitës “Të huaj kudo”.  Të qenit të huaj në një qytet ku kushdo mund të ndihet qytetar apo anasjelltas.

Projekti i artistes shqiptare "Love as a Glass of Water" , që kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli merr shkas nga  teoria e "gotës së ujit",  që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai. Kjo teori lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Ide që u penguan në atë kohë nga aparati politik revolucionar.

Kuratori Grulli e quan absurd faktin që ende sot "tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sikur të bëhej fjalë për tabu , apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”.

Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së Lulashit, ku shtron pyetjen: Perse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

Në veprën e saj ndërthuret tradita piktoreske shqiptare, duke i mëshuar figurave të rëndësishme të njohura ndërkombtarisht dhe rrugëtimit të saj artistik në Itali.

"Love as a glass of Water" inaugurohet në 19 prill, ndërsa ekspozita Ndërkombëtare që mbahet në Arsenal, do të jetë e hapur për publikun nga  20 prilli deri në 24 nëntor.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?