Ervin Salianji u paraqit sot për herë të fundit në Shërbimin e Provës, tre muaj nga lirimi i tij me kusht nga burgu i Fierit, pasi kreu 9 muaj e gjysmë nga dënimi me 1 vit burg shtatorin e kaluar. Ish-deputeti demokrat deklaroi se beteja e tij me drejtësinë sapo ka filluar, duke theksuar se brenda pak ditësh do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe Strasburgut.
Duke e cilësuar sërish dënimin e tij si politik, Salianji tha se, si një person që e ka provuar në kurriz turpin e drejtësisë, do të vazhdojë që të punojë fort për interesat e qytetarëve. Shënjestroi gjithashtu edhe institucionet e ekzekutivit, duke i etiketuar si "institucione dhunuese e gjobash të përditshme".
“Unë jam izoluar dhe burgosur për shkak të bindjeve politike dhe për shkak të denoncimit të një personi të inkriminuar. Histori që nisi shumë vite përpara dhe nga dita në ditë të gjithë denoncimet që kam bërë në emër të PD dhe dhe të gjitha denoncimet nga PD, po faktohen duke faktuar së pari lidhjet e forta të krimit me qeverinë, dhe kontrollet e grupeve të krimit dhe përrfshirjen në funksionet më të larta qeveritare, policore apo të drejtësisë. Pas këtij momenti, përfundimi i këtij turpi për drejtësinë, njolle turpi për drejtësinë e kapur politikisht nga Rama do ta vazhdoj këtë çështje deri në Strasburg. Të drejtën do ta fitoj. Dua të theksoj, se duke qenë se e kam provuar vetë edhe në kurriz se çfarë do të thotë të prodhohen padrejtësi nga institucionet që duhet të prodhojnë drejtësi. Do të punoj fort për interesat e qytetarëve që përballen me padrejtësi të përditshme nga institucionet e drejtësisë dhe nga institucionet e ekzekutivit që janë kthyer në institucione dhunuese e gjobash të përditshme. Beteja ime me drejtësinë është në rrugë e sipër, që të mos them sapo ka filluar. Nga pikëpamja formale, do të depozitoj për pak ditë në Gjykatën Kushtetuese, dhe nëse do të ketë kontroll nga Rama, do të depozitoj në Strasburg. Jam i bindur në fitore. ", tha Salianji.
Më pas, drejtoi gishtin edhe nga SPAK, teksa tha se vepron në mënyrë selektive dhe me urdhër të Ramës. Salianji tha se deri më tani është treguar i rezervuar për shkak se sapo ishte krijuar, por shtoi se Prokuroria e Posaçme po tregon se është i dorëzuar dhe i kapur. Ai ngriti pyetjen se si Task Forca e krijuar për krimet zgjedhore, nuk arriti që të kapte një socialist të vetëm që bënte krime zgjedhore.
"Drejtësia sot është thuajse më keq se kurrë. Për një çështje, për cilindo qytetar që përballet me dyert e drejtësisë, i duhen minimalisht 7 vite për të dalë nga ato dyer, drejtësia përdoret për qëllime politke, është selektive. Ja ku jemi ngjitur me SPAK, e keni vënë re se si në mënyrë selektive, përzgjidhen të arrestohen disa dhe të shmangen disa të tjerë. Në rastin e Toyota Yaris, e përgjimeve të Sky, ka përgjime të personave të caktuar, që në emër të ministrave të Brendshëm, marrin mijëra euro për të emëruar shefa komisariatesh. Ka dhjetëra raste që në mënyrë selektive bëhet drejtësi jo sipas ligjit, por sipas Maliqit e interesave të Edi Ramës. Në të gjitha rastet e arrestimeve politike janë pasi Rama i ka lëshuar. I vetmi rast që ishte në detyrë, u lëshua më pas dhe u duk se ishte lëvizje e këtij lloji. E njëjta gjë me rastin e zotit Meta, të Berishës dhe me të gjitha rastet që kanë ndodhur Lefter Koka, raste që pasi Rama i ka lëshuar, SPAK u turret. Të gjitha rastet, kanë dalë në media një vit përpara. Çfarë është kjo drejtësi që e di gjithë publiku një vit e kusur përpara për rastet, dhe më pas vendos drejtësia. Çdo gjë e thënë në publik, ka shkuar ashtu siç është thënë se ai që e ka hedhur ka pasur qëllim politik. ". shtoi Salianji.
Salianji pretendoi se ka pasur shumë shkelje ndaj çështjes së tij, duke përmendur mosmarrjen e dëshmitarëve, mospranimin e provave nga mbrojtja e tij etj.
"Për shkak të parashkrimit të veprës, pavarësisht se nuk e kam pasur dënimin plotësues, për zbatimin e funksioneve publike, më janë ndaluar pa ligj 5 vite funksione publike duke më hequr një mandat nga qytetarët dhe duke më ndaluar një mandat në betejën që do të isha në zgjedhjet. Ka 1 mijë shkelje të tjera, që kanë të bëjnë me mosmarrjen e dëshmitarëve, mospranimin e provave nga ana jonë, mosthirrjen e personit që ishte denoncuar, mospasjen në dijeni në çdo rast timin. Kështu që është çështje që rikthen dënimet politike.", shtoi Salianji.
Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë për dosjen "Babale", për audio-përgjimin ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. Me dënimin me 1 vit burg, Salianji humbi mandatin e deputetit në Kuvend, ku ishte zgjedhur në zgjedhjet e 2017-s dhe 2021-shit për 2 legjislatura. Sipas ligjit të dekriminalizimit, ai nuk mund të zgjidhet në funksione publike për të paktën 5 vite pas mbylljes së dënimit, pra deri në vitin 2030 kur konsiderohet i rehabilituar.
Komente

Ky është një mashtrues i ndyrë
Përgjigju