Foto nga homazhet për kapitenin Anamali

Kronikë

U mbyt në Liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistët, i jepet sot lamtumira e fundit kapitenit hero Arben Anamali

11 Korrik, 12:30| Përditesimi: 11 Korrik, 17:44

  • Share

Sot, në një atmosferë të zymtë nga dhimbja dhe lotët, i jepet lamtumira e fundit kapitenit Arben Anamali, i shpallur Dëshmor i Atdheut pas aktit të jashtëzakonshëm të sakrificës që i mori jetën teksa shpëtoi dy të huaj nga mbytja.

Në ceremoninë mortore, familjarë, miq, përfaqësues të Bashkisë Shkodër dhe qytetarë të shumtë nderuan jetën e një njeriu që u shqua për humanizëm, guxim dhe përkushtim.

Mes lotësh, bashkëshortja Najada Anamali, tregoi për mediat se bashkëshorti i saj ishte njeri i jashtëzakonshem aq sa i dha edhe jelekun e tij të shpëtimit, turistëve.

“Është një dhimbje shumë e madhe për familjen tonë. I ka ndihmuar të gjithë, derisa në fund dha edhe jetën e tij. Lajmin e vdekjes e mora nga një kolege e tij, nuk e mendova se kishte bërë një aksident të tillë”, tha mes lotësh bashkëshortja e tij.

Edhe nipi i tij, Mirsad Isufi, shprehu dhimbjen dhe krenarinë për figurën e Arbenit në këtë ditë të rëndë për familjen

Në homazhe ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë Shkodër, ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dërgoi një letër ngushëllimi për familjen Anamali, duke vlerësuar lart aktin e tij fisnik dhe duke shprehur solidaritetin e institucionit të Presidencës.

Arben Anamali, 51 vjeç, ndërroi jetë më 8 korrik pasi u hodh në ujë për të shpëtuar dy turistë izraelitë që kishin rrezikuar të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Ai arriti t’i shpëtojë ata, por nuk u kthye më në anijen që drejtonte me pasion e përkushtim.

Sot, ai përcillet në banesën e fundit, por mbetet përjetësisht në kujtesën e një qyteti të tërë si simbol i humanizmit .

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?