Politikë

U mbyt në Liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistët, gjendet trupi i pajetë i kapitenit Anamali! Qeveria e shpall Dëshmor të Atdheut

10 Korrik, 14:36| Përditesimi: 10 Korrik, 16:17

  • Share

SHKODËR- Anija turistike “Buna” nuk ka lëvizur nga moli, që prej pasdites së të martës…  Kapiteni i saj u mbyt në një akt të pashembullt heroik, teksa u hodh në liqen për të shpëtuar dy turistë izraelitë.

Trupi i pajetë i Arben Anamalit u gjet mëngjesin e se enjtes, pas kërkimeve intensive. Ai nuk ishte thjesht një drejtues anijeje por njeri human, që dha jetën për të shpëtuar të tjerët. 

Më 8 korrik, një grup turistësh izraelitë, nisur nga Shiroka, kërkuan të lahen në liqen, pavarësisht paralajmërimit të kapitenit për rrezikun nga era e fortë ata u zhytën në liqen dhe brenda pak minutash kërkuan ndihmë pasi era i largoi rreth 50 metra larg anijes.

Kapiteni hero Arben Anamali është hedhur në ujë me dy kamerdare. Arrin t’i shpëtojë turistet… por vetë nuk kthehet më. Era e veriut e shtyn në thellësi të liqenit. Askush s’i shkoi në ndihmë....

51-vjeçari do të përcillet të premten në banesën e fundit, ndërsa la pas dhimbje e brengë tek familjarët. Arben Anamali nuk ishte rastësisht në këtë anije turistike. Ishte rritur mes motorëve të varkave, me pasionin që e kishte trashëguar i ati i ndjerë.

Kapiteni Arben Anamali nuk u kthye nga liqeni, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Ai la pas dy fëmijë, 17 dhe 15 vjeç, të cilët do ta kujtojnë gjithnjë të atin, si heroin e tyre e jo vetëm...

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale se është shpallur Dëshmor i Atdheut kapiteni Arben Anamalin, drejtuesi i anijes turistike të Bashkisë Shkodër.

“U prehsh në paqe dëshmor i atdheut. Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, kapiten Arben Anamalin, që sakrifikoi jetën për të shpëtuar dy jetë të tjera. I paharruar, kapiten Arbeni”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Rama shkroi se Anamali do të nderohet me mirënjohjen më të lartë të Republikës, për aktin e tij të jashtëzakonshëm të sakrificës dhe humanizmit.

Ora 11:51
Akti heroik i kapitenit të anijes, kryebashkiaku Benet Beci: Shkodra përulet për Arben Anamalin, qyteti humbi një bir, por fitoi një hero!

Kapiteni Arben Anamali dhe kërkimet për gjetjen e trupit

Akti i heroik i kapitenit Arben Anamali nuk ka lartësuar vetëm emrin e tij dhe vlerat e humanizmit njerëzor, por edhe një qytet të tërë, Shkodrës.

Teksa shpëtoi dy turistët nga mbytja në liqen dhe dha jetën e tij, pas gjetjes së trupit në një operacion kërkimor prej dy ditësh, kryebashkiaku Benet Beci i ka dedikuar një tjetër postim, ku shprehet se “qyteti humbi një bir, por fitoi një hero”, para të cilit përulen.

Postimi i kryebashkiakut Benet Beci:

“Shkodra përulet për njeriun, heroin Arben Anamali.

Ai nuk ishte thjesht një punonjës, as thjesht një kapiten anijeje. Ishte një njeri që zgjodhi jetën e të tjerëve para jetës së vet.

Një ngjarje e rëndë, që tronditi gjithë Shkodrën, por që njëkohësisht lartësoi emrin e qytetit dhe të Bashkisë Shkodër.

Me guximin, sakrificën dhe zemrën e tij, ai mbrojti jo vetëm jetën e turistëve që ndodhej në rrezik, por edhe nderin dhe dinjitetin e vendit të tij. Kapiteni nuk u kthye më, por la pas një vepër që e bëri të përjetshëm në kujtesën e të gjithëve.

Shkodra humbi një bir, por fitoi një hero.

Kapiteni Arben Anamali bëri atë zgjedhje që vetëm të rrallët mund ta bëjnë: të japësh jetën për një mik të qytetit dhe për të mbrojtur emrin e tij.

Sot, secili prej nesh do të donte të kishte guximin e tij… por vetëm ata që lindin heronj janë të aftë ta bëjnë këtë sakrificë.

Bashkia Shkodër i qëndron pranë familjes së tij në këtë dhimbje të madhe. Përulje dhe nderim të përjetshëm për heroin tonë, Arben Anamali”.

Postimi i kryebashkiakut Benet Beci, për aktin heroik të kapitenit Arben Anamali
Ora 08:28
U mbyt pasi shpëtoi dy turistët, gjendet pas rreth 48 orësh kërkime trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali në liqenin e Shkodrës

Pas rreth 48 orësh kërkime, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali, i cili u mbyt në liqenin e Shkodrës. Kapiteni i anijes turistike të bashkisë u hodh në ujë për të shpëtuar dy turistë izraelitë, por nuk mundi që t’ia dilte vetë. Trupi u gjet gjatë ditës së tretë të operacionit të kërkimit, që nisi rreth orës 05:00.

"Në vijim të informacionit të dhënë më datë 08.07.2025, për kapitenin e një anijeje që u mbyt gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, në liqenin e Shkodrës, bëjmë me dije se si rezultat i kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me polumbarët e RENEA-s, ditën e sotme, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga uji, e trupit të pajetë të kapitenit të anijes, shtetasit A. A., 51 vjeç.”, njofton policia. 

Më 8 Korrik, 15 turistë të huaj të nisur nga Shiroka, kërkuan që të shijonin me not liqenin dhe refuzuan të dëgjojnë kërkesën e kapitenit për të mos u futur në ujë, sepse era që vinte nga veriu ishte e rrezikshme. Pak minuta pasi ata u hodhën në ujë, kërkuan ndihmë, pasi era i kishte larguar rreth 50 metra larg nga anija.

Kapiteni është hedhur në liqen me dy kamerdare shpëtimi, por pasi ka arritur të shpëtojë dy turistët, ka mbetur vetë, pa mundur të kthehej për shkak të erës së fortë, e cila e shtynte në thellësi të liqenit.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?