Avdullah Hoti

U miratua nga Kuvendi/ FSK e Kosovës tashmë mund të shkojë në misione paqëruajtëse! Meta: E meriton të jetë sa më parë anëtare e NATO-s

6 Janar 2021, 10:21| Përditesimi: 6 Janar 2021, 10:23

  • Share

Kuvendi i Kosovës mori një vendim historik për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Votimi të martën me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, i hap rrugë kështu dërgimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

Në fjalën e tij në Kuvend dje kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh se përparimi i vazhdueshëm në aspektin operacional dhe profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve tanë, kanë bërë që FSK-ja të fitojë besimin e partnerit tonë kryesor strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të qenë krah forcave paqeruajtëse amerikane në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.   Seanca e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të Hotit.

Në lidhje me këtë vendim shumë të rëndësishëm reagoi sot edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.  Meta shkruan në Facebook se me këtë vendim historik Kosova dëshmon qartë çdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë.

 “Përshëndes vendimin historik të Parlamentit të Kosovës për të autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në botë, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane. Kosova dëshmon qartë çdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë.  Kosova e meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare e NATO-s dhe do të ketë mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në këtë drejtim”, deklaron Meta.

Vendimi i djeshëm i Kuvendit të Kosovës vjen pasi më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?