U mor i pandehur për falsifikim dokumentesh, kryebashkiaku i Kuçovës paraqitet sërish në SPAK

4 Dhjetor 2023, 09:50| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 14:29

  • Share

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Hajdari shihet i shoqëruar nga avokati i tij, Theodori Sollaku.

Kujtojmë se më 15 nëntor, SPAK mori si të pandehur Kreshnik Hajdarin pasi i njoftoi akuzën për falsifikim të formularëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai ka shkelur nenin 190/2 të Kodit Penal, që parashikon dënim nga 6 muaj burg deri në 5 vjet, si pasojë e mosdeklarimit të procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi në formularët e dekriminalizimit dy herë, nga viti 2019 e në vazhdim.

Hajdari u përball me prokurorët bashkë me avokatin e tij Theodhori Sollaku, një ditë pasi KQZ refuzoi ti heqë mandatin me argumentin se vendimi gjyqësor ndaj tij në Janinë në vitin 1999 nuk ishte shkak ligjor për largimin nga detyra.

Ndërsa avokati i tij, pasi Hajdari doli nga ambientet e SPAK ku qëndroi për më shumë se 1 orë, deklaroi se kryebashkiaku nuk është marrë si i pandehur dhe se është pyetur për një kallëzim të bërë ndaj tij.

Drejtësia greke i përcolli javë më parë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar. Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?