Ish-futbollisti i Laçit dhe Kastriotit në Shqipëri, Juljan Shehu, tani pjesë e Lodz në Poloni, është një nga dy futbollistët e ftuar rishtazi te kombëtarja bashkë me Etnik Brrutin. Mesfushori 26-vjeçar është vendosur menjëherë në dispozicion të Sylvinhos për ndeshjet e para eliminatore të Botërorit kundër Anglisë më 21 mars dhe kundër Andorës më 24 mars.
“Është një ëndërr e bërë realitet. Momentin e parë kur mora ftesën nuk dija si të reagoja. Isha i mpirë nga emocionet. U kontaktova nga stafi, ishte moment shumë i bukur. Jam shumë krenar që jam përzgjedhur të përfaqësoj Kombëtaren. Është një nga ndjesitë më të bukura në botë. Shpresoj që ta përfaqësoj denjësisht dhe të jap maksimumin tim për ekipin si edhe për të rritur konkurrencën sepse i bën mirë ekipit,"-u shpreh Julian Shehu, futbollist i kombëtares.
Ndër të parët që kanë mbërritur në grumbullim me kombëtaren është edhe anësori Arbër Hoxha, i cili beson te pikët në ndeshjen e parë edhe pse të premten përballë është Anglia.
“Anglia ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion,”-tha Arbër Hoxha, futbollist i kombëtares.
Ndërkohë nisja e përgatitjeve për sfidën me Anglinë nuk është më e mira te kombëtarja. Tifozët Kuq e Zi, me anë të një postimi në rrjetet sociale, thonë se për herë të parë pas 21 vitesh FSHF i ka lënë pa bileta, pasi nuk i ka prenotuar ato me arsyetimin se kërkon më shumë ‘gjithpërfshirje të tifozëve dhe jo vetëm ultras’. Tifozët Kuq e Zi e hedhin poshtë këtë pretendim dhe thonë se kjo është një hakmarrje tipikë e FSHF-së, për shkak se ata janë kundër organizimit të Evropianit U-21 më Serbinë. Ultrasit kuqezi shtojnë gjithashtu se pavarësisht peripecive do të jenë në Londër për të mbështetur Kombëtaren.
Komente
