Kultura

U nda nga jeta 2 ditë më parë/ Lamtumirë me qirinj e lule për Pirro Manin, 'njeriun shtyllë' të artit shqiptar

5 Qershor 2021, 16:47| Përditesimi: 5 Qershor 2021, 17:01

  • Share

TIRANË- Homazhe me qirinj dhe lule janë zhvilluar mbrëmjen e së premtes në ambientet e jashtme të Art Turbinës në nder të Pirro Manit, një prej korifenjve të skenës shqiptare, pedagogut dhe artistit të dashur.

Edhe pse i mbylli sytë larg atdheut, aktori dhe regjisori i njohur i artit, Pirro Mani mbrëmjen e së premtes mblodhi bashkë në shenjë nderimi emrat e artit si Mirush Kabashi, Ndriçim Xhepa, dramturgu Rruzhi Pulaha, Spiro Duni etj., por edhe  ish-studentët e mjeshtrit, që për më shumë se dy dekada, personifikoi teatrin si në skenë, formim, mesazh e  regji.

Në nderimet që u bënë një mesazh të veçantë la edhe regjisori Arben Kumbaro i cili e quajti një “njeri shtyllë” që la gjurmë në historinë e artit dhe teatrit shqiptar.

Regjisori i njohur shqiptar Pirro Mani u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare nga një sëmundje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prej disa vitesh jetonte së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.

Kush ishte Pirro Mani?
Pirro Mani që u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai është një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë "Cuca e maleve", “Fytyra e dytë”, "Arturo Ui", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", “Epoka para gjyqit”, "Nata e 12 -të", “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen. Një prej personazheve më të njohur që ai skaliti përjetësisht në memorien e shqiptarëve është ai i 'ballistit Sali Protopapa' në filmin 'I teti në bronz'.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?