Bota

U nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, kush ishte Papa Françesku, rrënjët e një papati që ‘tronditi’ Vatikanin

21 Prill, 11:25| Përditesimi: 21 Prill, 16:47

  • Share

Vëmendja e vazhdueshme ndaj “popullit të Zotit”, aftësia për të shmangur kategoritë e zakonshme të progresizmit dhe konservatorizmit, një personalitet dominues që ngjallte njëkohësisht admirimin e bindur dhe armiqësi të thellë: karakteristikat e Papës së parë latino-amerikan në histori janë të rrënjosura në biografinë e tij, dhe nuk mund të kuptohet Françesku pa njohur Bergoglion.

I lindur në Buenos Aires më 17 dhjetor 1936 nga një familje emigrantësh italianë – gjyshër nga Piemonte dhe Liguria – Jorge Mario Bergoglio kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në kryeqytetin argjentinas. Kimist i diplomuar, për një kohë ëndërron të ndjekë mjekësinë, por në fund zgjedh rrugën e meshtarisë dhe në vitin 1958 hyn në Shoqërinë e Jezusit.

Familja dhe lagjja popullore ku u rrit i përcollën një ndjeshmëri të veçantë ndaj devocionit popullor. Nuk ishte një njeri i lidhur me zakonet e ngurta të sakristisë – studioi filozofi, letërsi dhe psikologji, dha mësim në një gjimnaz, ku për një leksion arriti të ftonte shkrimtarin Jorge Luis Borges. I rezervuar, ai nuk i mungonte as kurioziteti intelektual dhe as ndërmarrësia. Dëshironte të shkonte misionar në Japoni, por për shkak të një problemi me mushkëritë (i ishte hequr një lob mushkërie që në rini), kërkesa e tij nuk u pranua. “Nëse do më kishin dërguar në atë tokë misionare – do të rrëfente më vonë në librin autobiografik Life – jeta ime do të kishte marrë një tjetër drejtim dhe ndoshta dikush tjetër në Vatikan do të ishte më i mirë se unë tani”.

I shuguruar meshtar në vitin 1969, në moshën vetëm 37-vjeçare bëhet provincial – pra udhëheqës – i jezuitëve argjentinas, nga viti 1973 deri më 1979. Këto ishin vite dramatike gjatë të cilave në vend vendoset një diktaturë ushtarake (1976-1983) që zhduk mbi 30 mijë njerëz dhe përçan thellësisht shoqërinë dhe Kishën.

Nga ajo periudhë daton edhe përplasja personale e Bergoglios me Shoqërinë e Jezusit, një përplasje që do të zbutet, të paktën pjesërisht, vetëm pas zgjedhjes së tij si Papë. “Mënyra ime autoritare dhe e shpejtë për të marrë vendime – do t’i rrëfente drejtorit të revistës Civiltà Cattolica, Antonio Spadaro – më çoi në probleme të rënda dhe në akuza se isha ultrakonservator”.

Ngjarjet që lidhen me dy bashkëvëllezër jezuitë, Orlando Iorio dhe Francisco Jalics, të rrëmbyer dhe torturuar nga ushtarakët për shkak të angazhimit të tyre në lagjet e varfra pas një konflikti me eprorin e tyre, do të lënë për dekada të tëra një pasojë të dhimbshme për të. Edhe pse nuk shprehet publikisht kundër diktaturës, ai ndihmon shumë persona të shpëtojnë, siç është dokumentuar edhe nga gazetari Nello Scavo në librin Lista e Bergoglios: ai jep pasaportën e tij personale një disidenti në arrati, sfidon postblloqet për t’i dhënë mundësinë një mikeje në arrati – gjykatëses penale Alicia Oliveira – të shihte fëmijët e saj.

Një ndër biografitë më të mira për të, Untying the knots nga gazetari Paul Vallely, tregon se në ato vite Bergoglio kishte një orientim mjaft konservator, larg erës së re që në Romë po sillte drejtuesi i atëhershëm i jezuitëve, Atë Pedro Arrupe, në dritën e Koncilit të Dytë të Vatikanit. Si Papë, ai do të hapë arkivat e Vatikanit për të hedhur dritë mbi vitet e diktaturës, zhdukjen e personave, dhe bashkëpunimet e një pjese të episkopatit. Në atë kohë, ai lë provincën argjentinase të ndarë në dy kampe: bergoglianë dhe antibergoglianë – një tendencë për t’u dashur apo urryer që do të rikthehet më pas edhe gjatë papatit të tij.

Për Bergoglion fillon ndoshta periudha më e vështirë: pas disa vitesh si rektor i kolegjit San Miguel, përsëri në Buenos Aires, eprorët vendosin ta largojnë për të shmangur ndërhyrjet e tij të vazhdueshme në menaxhimin e jezuitëve argjentinas. Fillimisht e dërgojnë në Gjermani, në vitin 1986, për një doktoraturë mbi teologun Romano Guardini, që ai nuk e përfundon. Kthehet në Buenos Aires dhe në vitin 1990 e dërgojnë sërish larg, këtë herë në qytetin e largët argjentinas të Kordobës – një mes gjendjeje ndëshkimi dhe tërheqjeje shpirtërore: një periudhë vetmie, dhimbjeje, dhe lutjeje intensive. Vite që “shënjuan forcimin tim shpirtëror, sepse ishin si një natë, por më ndihmuan të konsolidohem si bari”, do të rrëfente më vonë për Javier Cámara dhe Sebastián Pfaffen në librin pak të njohur Ai Bergoglio, ky Françesku. Gjatë atyre viteve lexon 37 nga 40 vëllimet e historisë së Papëve të Ludwig von Pastor.

Në vitin 1992, Papa Gjon Pali II e emëron në mënyrë të papritur ipeshkëv ndihmës të kardinalit Antonio Quarracino në Buenos Aires. Disa dashakeqë do të thonë se ishte një zgjedhje kundër jezuitëve më të pakënaqur. Për Bergoglion, kjo është një lloj “rehabilitimi” dhe rikthim në shtëpi. Fillimisht si ipeshkëv ndihmës, më pas si kryeipeshkëv (1998–2013), ai bëhet një figurë qendrore e Kishës argjentinase. Ai udhëheq Konferencën Ipeshkvore nga viti 2005 deri në 2011.

Diskret, ndonjëherë i turpshëm, Jorge Mario Bergoglio bie në sy për përkushtimin ndaj më të funditve: të varfërve, prostitutave, të varurve nga droga, të burgosurve, indigjenëve dhe emigrantëve. Ai viziton shpesh villas miseria – lagjet e skajshme të Buenos Airesit. Një njeri me një personalitet kompleks dhe shumëdimensionale, në ato vite përpunon idenë e tij për një Kishë “në dalje”, një Kishë misionare, një “spital fushe”, siç do ta quajë më vonë në një intervistë programatike për Antonio Spadaron.

Fillimisht larg teologjisë së çlirimit, si jezuit i ri, ai i bashkohet më vonë variantit argjentinas, jo marksist, të ashtuquajtur “teologjia e popullit”, që vendos në qendër “popullin e Zotit” si shtyllën e fatit të Kishës. Ai qeveris me siguri, është punëtor i madh, ka stil informal dhe lëviz me këmbë apo me transport publik. Papa Gjon Pali II e emëron kardinal në vitin 1998, por ai shkon në Romë pa dëshirë. Nuk e pëlqen ambientin e Vatikanit dhe nuk fjeti asnjëherë në ndonjërën nga shtëpitë e jezuitëve: marrëdhëniet mbetën të pazgjidhura.

Personaliteti i Bergoglios fillon të njihet përtej kufijve të Argjentinës. Si drejtues i mbledhjes së episkopatit të gjithë Amerikës Latine në Aparecida në vitin 2007, ai spikat për qasjen baritore dhe aftësinë për ndërmjetësim. Më herët, atentatet e 11 shtatorit 2001 mbajtën në Nju Jork kardinalin Edward Egan, i caktuar për të qenë relatori i përgjithshëm i sinodit që do të mblidhej në Romë me thirrjen e Papa Gjon Palit II: ai zëvendësohet nga kryeipeshkvi i Buenos Airesit, i cili bie në sy për shumë prej etërve sinodalë nga e gjithë bota.

Kardinalët do ta kujtojnë këtë katër vjet më vonë: pas vdekjes së Gjon Palit II, Konklava zgjedh relativisht shpejt Joseph Ratzingerin, por Jorge Mario Bergoglio është i dyti më i votuari. Zgjedhja zhvillohet pas dyerve të mbyllura, por nga Kapela Sistine shpërndan zëri se rreth kryeipeshkvit të Buenos Airesit ishte mbledhur opozita reformiste ndaj kandidatit të Kurisë romake. Paradoksalisht, ajo nuk mbështetej nga jezuiti tjetër i njohur, kardinali Carlo Maria Martini, kryeipeshkëv i Milanos, i cili nuk i besonte bashkëvëllait të tij, e konsideronte konservator, dhe si një ndër “kingmaker”-ët, vendosi në fund t’i japë votat e progresistëve Ratzingerit: ndoshta nga frika se një minorancë bllokuese mund të çonte drejt zgjedhjes së një kandidati konservator më pak i denjë se Ratzingeri, dhe për këtë arsye i bashkoi votat reformiste te gjermani. Në librin-intervistë që i kushtoi paraardhësit të tij, El Sucesor, Françesku pohon megjithatë se kishte qenë vetë ai që i kishte dhënë votat Ratzingerit për të ndaluar një manovër kuriale.

Vite më vonë, pasi ishte pajtuar me jezuitët dhe përballur me kritika të ashpra, ashtu si Martini dikur, Françesku do ta përmendte kardinalin tashmë të ndjerë dhe profecinë e tij për një Kishë “me vonesë 200 vjet”, në një nga fjalimet e tij para Kurisë romake. Si një përmbyllje për një pontifikat që tronditi Vatikanin, që nxiti kritika të ashpra nga krahët konservatorë, që zhgënjeu progresistët që donin reforma më të guximshme, por që u njoh nga besimtarët e thjeshtë – “populli i Zotit” – si një mundësi për një kthesë të madhe për një Kishë tepër të mbyllur dhe të kthyer nga e kaluara./La Repubblica

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?