Eshtë ndarë sot nga jeta në moshën 84 vjeçare, Ylber Merdani një prej zërave që nuk heshtën për krimet e diktaturës. Ai ishte një nga të mbijetuarit e krimeve komuniste dhe një nga dëshmitarët okularë dhe pjesëmarrës të Revoltës në burgun e Spaçit.
Ai ka dëshmuar se si burgu menjëherë pas revoltës, u vu në gjendje gadishmërie, duke bërë tortura nga më të tmerrshmet, deri në ekzekutim të atyre që ishin organizatorët e revoltës. Origjina e tij është nga një familje e shquar korçare, gati 300-vjeçare, e cila përjetoi një kalvar të gjatë përndjekjesh, duke vuajtur nëpër kampet dhe burgjet e regjimit komunist.
Ylberi, - i biri i Fuat dhe Fatime Merdanit - ka vuajtur sistemin e përndjekjes, duke u dënuar nga viti 1967 ku u internua së bashku me të atin, të ëmën, vëllain dhe motrën, në Pulahë të Oparit dhe më pas, u arrestua më 9 qershor 1969 për disa poezi, të cilat i dërguan tek Sigurimi i Shtetit, miqtë e tij të ngushtë Petrika dhe Mihal Bacu, duke u dënuar me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë (për dorëshkrimet e poezive që cënonin diktaturën). Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit.
U lirua më 1977 dhe menjëherë pas daljes nga burgu, u internua në Shtyllë të Vithkuqit, atje ku e priste edhe familja e tij. Kalvari i vuajtjeve përfundon në 1990.
Në moshën 80 vjeçare mori titullin Kryetar Nderi i Shoqatës së të Përndjekurve në qytetin e Korçës. Z. Ylber Merdani ka kontribuar me shumë botime të tij për zbardhjen e krimeve komuniste jo vetëm për familjen Merdani, por edhe për bashkëvuajtësit e tij.
Per emisionin “Dosja k” ai ka lënë këtë dëshmi të rrallë për jetën dhe vuajtjet e tij në diktaturë.