Kronikë

U ndalua për shit-blerje vote në Fier/ GJKKO cakton masën ‘arrest në shtëpi’ për babain e kandidates së PSD në Fier

14 Maj, 10:34| Përditesimi: 14 Maj, 12:50

  • Share

GJKKO ka vendosur masën e sigurisë 'arrest në shtëpi' për Pandeli Bozhën, i arrestuar disa ditë më parë nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje. 70-vjeçari dyshohet se ka blerë vota në qytetin e Fierit për vajzën e tij, Limonera Bozha, e cila kandidoi në zgjedhjet vendore nën siglën e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Masa e dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar erdhi për shkak të moshës së shtyrë dhe gjendjes së rënduar shëndetësore të Bozhës.

Duke folur për mediat jashtë ambienteve të SPAK, Limonera Bozha tha:

“Nuk jemi përfshirë kurrë në gjëra të tilla. Koha do ta provojë edhe faktin.”

Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, ngjarja ka ndodhur më 8 maj, kur Bozha i ka ofruar një shtetasi një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme me atë zyrtaren, ku ishte theksuar me ngjyrë portokalli emri i së bijës, duke i kërkuar mbështetje në zgjedhje. Ndaj personit me të cilin ka komunikuar Bozha është marrë masa e procedimit në gjendje të lirë, ndërsa organi i akuzës po heton nëse kemi të bëjmë me një rast të mirëorganizuar të shitblerjes së votës.

Nga ana tjetër, vetë kandidatja e PSD-së, Limonera Bozha, ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme, duke e cilësuar rastin si një sulm të qëllimshëm ndaj saj.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?