Foto ilustruese

U ndje keq gjatë qëndrimit në qeli, vdes në spital 51-vjeçari i burgosur në Burgun e Fierit! Të afërmit: Nuk vuante nga asnjë sëmundje

4 Maj 2023, 09:49| Përditesimi: 4 Maj 2023, 17:02

  • Share

Një i burgosur 51-vjeçar në Fier ka ndërruar jetë paraditen e sotme. Ai ka shfaqur probleme me shëndetin gjatë qëndrimit në burg dhe ka vdekur  në spital. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para te mëngjesit në burgun e fierit dhe dyshohet qe  shkak i vdekjes ka qenë një infarkt.

Report Tv mëson se bëhet fjalë për 51-vjeçarin Simon Toska, i cili është arrestuar në vitin 2021  për shkak se së bashku me 4 të tjerë kishin përshtatur një ofiçinë të vjetër në Patos në ambiente për mbajtjen, përdorimin dhe shitjen e kanabisit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila thotë se vdekja e Simon Toskës është regjistruar rreth orës 4 të mëngjesit. Sipas ‘Burgjeve’ gjatë qëndrimit në institucion ai nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marr trajtim me medikamente për patologji kronike. 

“Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 shtetasi SimonToska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mire dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.  Më datë 04.05.2023 në orën: 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Hashim Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit. Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Mënjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.  Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli. Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka bërë exitus letalis (vdekje)”, thuhet te njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve.

Të afërmit e Simon Toskës në intervistat e dhëna për Report TV, kanë mohuar që 51 vjeçari, babai i 3 fëmijëve të vuante nga ndonjë sëmundje. 

Ora 16:40
51 vjeçari i burgosur në burgun e Fierit ndërroi jetë në spital, të afërmit e tij: Na thanë se pësoi infarkt kardiak por nuk vuante nga asnjë sëmundje

 

Banorë të fshatit Panahor të Mallakastrës janë shprehur të shokuar për vdekjen e papritur të 51 vjeçarit Simon Toska, baba i 3 fëmijëve i cili vuante dënimin në burgun e Fierit që nga gushti i vitit 2021 për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Pavarësisht se në deklaratën e policisë thuhet se 51 vjeçari ndërroi jetë si shkak i një infarkti kardiak, të afërmit e tij mohojnë që viktima të ketë pasur më parë probleme shëndetësore.

“Simoni ka qenë shumë djalë i mirë me plot gojën. Simoni kishte 2 prindërit, 2 vëllezërit dhe motrën. Lajmi ishte shumë i hidhur, na erdhi shumë keq, nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje, e dimë se jemi bashkëfshatar.

Në 4:30 na morrën në telefon na thanë i ka rënë infarkt, ka vajtur pa shenja jete në spital. Nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje, djalë më të mirë në fisin tonë nuk kishim, nuk ishte njeri problematik.

Ai nuk ka vuajtur më parë nga probleme shëndetësore, ka qenë i fuqishëm, i martuar me 2 fëmijë, asnjë nga familja nuk dinë gjë”- shprehen disa prej të intervistuarve.

Trupi i pajetë i 51 vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit rajonal të Fierit dhe pritet të tërhiqet nga familjarët e tij. Familja ka hapur dyert e mortit ndërkohë që ceremonia mortore pritet të zhvillohet ditën e nesërme në varrezat e fshatit Panahor.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?