‘U ngjall’ Ervis Martinaj me atentatin në ‘Don Bosko’? Flet kreu i SPAK! Çështja ‘Plumbi i Artë’? Dumani: Po hetojmë për dekonspirimet e operacioneve, po bashkëpunojmë me AMP

31 Mars 2023, 13:29| Përditesimi: 31 Mars 2023, 14:49

  • Share

Kreu i SPAK Altin Dumani është treguar i rezervuar në lidhje me hetimet për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, për të cilin tha se është në hetim. Sipas kreut të SPAK, ai nuk mund të japë një përgjigje nëse ‘u ngjall’ apo ‘nuk u ngjall’ me atentatin në Don Bosko, pasi ai është prokuror dhe nga ana e tyre janë ndërmarrë veprimet hetimore.

“Ça bashkëpunimi të kërkojmë me prokurorinë e Kurbinit, ne e kemi në hetim, në kuadër të hetimit, ne kemi informacionet tona. Jeton Lami ka preferuar të heshtë dhe të mos japë deklarime. E para ngjarjen e "Don Boskos", nuk e ka në hetim Prokuroria e Posaçme. Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e "Don Boskos", "u ngjall" apo "nuk u ngjall Ervis Martinaj". Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore, kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë”, ka thënë kreu i SPAK.

Në bashkëbisedimin sot me gazetarët, kryetari i SPAK Altin Dumani ka cekur edhe çështjen e dekonspirimit të operacioneve, siç ishte ai i ‘Golden Bullet’. Dumani tha se operacionet nuk dekonspirohen asnjëherë nga SPAK por nga policia në momentin kur dalin për zbatim urdhrat e arrestit.

Dumani tha se nuk ka një procedim më vetë për këtë por në kuadër të hetimeve të përgjithshme për dosjen ‘Golden Bullet’ po hetohet edhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Kush është Ervis Martinaj
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Shfaqja e fundit publike e Martinaj, daton të jetë më 9 gusht në Tiranë, në ambientet e një qendre tregtare pranë Zogut të Zi, vetëm disa ditë pasi ai ishte parë të lëvizte i lirë në Durrës. Pistat kryesore të hetimit mbeten ekzekutimi i tij ose inskenimi nga vetë ai sikur e kanë vrarë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?