DIBËR- Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën e Arbrit, ku një 43-vjeçar ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë e plagëve të marra humbi jetën. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:00 në dalje të qytetit të Peshkopisë, ku mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë disa metra poshtë saj.
Fillimisht ai është dërguar me shenja jete në spitalin e Dibrës, por mësohet se ka vdekur rrugës për në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Rreth orës 10:00, në dalje të qytetit të Peshkopisë, shtetasi B.S., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë disa metra poshtë saj. Si pasojë e dëmtimeve të marra, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën, gjatë transportimit për në spitalin e Traumës Tiranë”, njoftoi Policia.
Viktima është Bledar Spahiu, punonjës i ADZM Dibër mësohet se ishte nisur drejt Peshkopisë për t’iu bashkuar ekipeve zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar "Lurë - Mali Dejës".
Komente
