Sociale

U nis për të takuar të birin dhe humbi në Itali/ ’Pa Gjurme’ gjen 57-vjeçaren dhe e rikthen në familje! 

17 Shtator, 17:46| Përditesimi: 17 Shtator, 17:49

  • Share

Një histori e trishtë, por me fund të lumtur, ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve mesditën e sotme në emisionin “Pa Gjurmë”. Bëhet fjalë për Marjeta Alimuçajn, 57 vjeçe, e cila u nis drejt Italisë me ëndrrën për t’u ribashkuar me djalin e saj, por përfundoi në një udhëtim plot vuajtje.

Vetëm pak kohë pasi kishte mbërritur në Itali, Marjeta u bë viktimë e një grabitjeje, duke humbur paratë, dokumentet, celularin dhe bizhuteritë. E vetme dhe pa asgjë në dorë, ajo mbeti në rrugë e rraskapitur dhe e humbur.

Një emigrante shqiptare dërgoi një video në redaksinë e emisionit “Pa Gjurmë”, ku tregonte gjendjen e rëndë të gruas së moshuar. Në dëshpërim, Marjeta përfundoi edhe në spital, ku rastësisht takoi emigranten Nusha Zhupa, e cila i erdhi menjëherë në ndihmë.

Por problemi më i madh ishte mungesa e pasaportës, që e bënte të pamundur kthimin e saj në Shqipëri. Ndërkohë, lajmi i humbjes së nënës tronditi djalin, Jonin, i cili u nis urgjent drejt Italisë.

Në këtë histori u përfshi edhe policia italiane në Milano, ndërsa ambasada shqiptare ndërhyri duke mundësuar një pasaportë të re për rikthimin e Marjetës.

Pas shumë peripecish, ndodhi ribashkimi emocionues i nënës me të birin. Me lot gëzimi, Joni falënderoi të gjithë shqiptarët që e ndihmuan në këtë rrugëtim: 

“Më në fund ja arritëm qëllimit, që nëna të rikthehej sërish në shtëpi,” u shpreh ai.

Edhe vetë Marjeta, me buzëqeshjen e kthyer pas ditësh të vështira, tha me humor: 

“Tani nuk iki më…”

Për më shumë, ndiqni emisionin e plotë…

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?