TIRANË- Enkelejd Alibeaj, ditën kur u dorëhoq nga pozicioni i tij si kryetar i komanduar i grupi parlamentar në PD dhe nga posti i kryetarit të grupit parlamentar, paralajmëroi edhe një mbledhje kryesie e cila parashikohej që të mbahej sot, me qëllim nisjen e punës për riorganizmin e PD-së.
Por për disa anëtarë të kryesisë dhe deputetë, Enkelejd Alibeaj tashmë është i dorëhequr dhe nuk ka më tagrin apo kompetencën për të thirrur kryesinë e PD-së.
Deputetët e PD, pjesë e kryesisë së partisë Demokratike, pretendojnë se Alibeaj nuk i ka njoftuar gjatë kohës kur ishte kryetar i komanduar i PD-së. Dhe nga ana tjetër, pas dorëheqjes ato argumentojnë se Alibeaj tashmë nuk ka kompetenca që të thërrasë mbledhjen e kryesisë.
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi është në pritje të përgjigjes së Jorida Tabaku nëse do të marrë drejtimin e komanduar të PD-së apo jo, pasi aktualisht mban pozicionin e nënkryetares. Tabaku ka deklaruar se po e mendon ende propozimin e bërë nga Bardhi.
Sipas statutit të partisë, Jorida Tabaku mund të marrë drejtimin e përkohshëm të PD pasi është nënkryetare. Enkelejd Alibeaj deklaroi se do të vijojë të jetë nënkryetar i PD, por me tërheqjen nga kreu i grupit parlamentar, vihet në pikëpyetje edhe nëse do të mund të jetë nënkryetar.
Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga drejtimi i PD dhe pozicioni i kreut të grupit parlamentar, pak ditë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 majit, kur PD nuk arriti të ishte forcë e parë në asnjë prej 61 bashkive të vendit.