Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës ‘detyrim paraqitjeje” dy herë në muaj para oficerit gjyqësor. Pasi doli nga Prokuroria, Kryemadhi tha për gazetarët se iu ka kërkuar stafit që të votojnë për koalicionin opozitar dhe babain e fëmijëve të saj.
“Iu kërkova votën për koalicionin opozitar, agjentëve të BKH, prokurorë, oficerë, çdo njeri që më dilte përpara. Sigurisht që kërkoj votën për babain e fëmijëve të mi dhe do të vazhdoj ta bëj deri më 11 Maj. Vetë ata atje brenda e kuptojnë se mënyra e përdorimit të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama i vendos në një pozitë të vështirë jo vetëm me qytetarët e opinionit publik por të gjithë situatën që jemi ne sot. Prandaj, besoj shumë që edhe vetë të nënshtruarit e sistemit do ta votojnë më 11 Maj përmbysjen dhe ndryshimin sepse edhe ata vetë kanë nevojë.", tha Kryemadhi.
E pyetur lidhur me dosjen, Kryemadhi tha se edhe sikur SPAK ta pyesë, nuk do të kthejë përgjigje pasi do të flasë në gjykatë. Iu përgjigj edhe pyetjes nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi kërkesën për masën e sigurisë.
“Për mua është bërë e përditshme dhe normale dhe s’besoj se ka risi. Në pozitat që unë jam në marrëdhënie me SPAK, edhe sikur të pyesin nuk kthej përgjigje se unë do të flas në gjykatë. Jemi në procesin e komunikimit, ata pyesin unë them shihemi në gjyq. Jo me Eni Çobanin. Tani që kam marrë dokumentacionin, zbardhjen e vendimit, do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Kemi afat 4 muaj për të evidentuar të gjithë ato që ne konstatojmë si shkelje të procesit ligjor apo shkelje të të drejtave të njeriut.", tha ajo.
Kujtojmë që Monika Kryemadhi akuzohet për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Për këto vepra akuzohet gjithashtu edhe ish-bashkëshorti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej tetorit të kaluar.
Komente
