Policia e Beratit ka arrestuar 70-vjeçarin Namik Pajo, i cili një ditë më parë, u përfshi në një aksident rrugor ndërsa goditi me sende të forta shefin e Policisë Rrugore.
Sipas raportimeve, rreth orës 10:00 një ditë më parë, në aksin rrugor Berat-Dimal, i moshuari është përfshirë në aksident duke goditur një mjet tjetër.
Pasi ka mbërritur policia, ai ka goditur shefin e ‘Rrugores’ me sende të forta. Gjatë kontrollit që policia ka kryer në banesën e të moshuarit ka gjetur edhe një pistoletë.
Njoftimi i Policisë
U përfshi në aksident rrugor dhe goditi me sende të forta Shefin e Seksionit për Qarkullimin Rrugor. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarakë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. P., 70 vjeç, banues në Berat, pasi ditën e djeshme rreth orës 10:00, në aksin rrugor Berat-Dimal, duke drejtuar mjetin tip "Benz", është përplasur me një mjet tjetër. Në momentin që kanë arritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor në vendin e ngjarjes, shtetasi N. P., ka goditur me sende të forta Shefin e Seksionit për Qarkullimin Rrugor.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. P., iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarakë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.