Gentjan dhe Indrit Beqiraj

U përfundoi afati i paraburgimit, Gjykata e Durrësit lë të lirë 5 prej të akuzuarve për operacionin ‘Porositësi’, lihen në burg vëllezërit Beqiraj

21 Nëntor 2022, 15:41| Përditesimi: 21 Nëntor 2022, 15:57

  • Share

Pesë prej të akuzuarve në kuadër të operacionit “Porositësi” që u zhvillua pas dëshmive të vëllezërve Beqiraj, janë liruar nga burgu. Sipas burimeve, masa “arrest me burg” është zëvendësuar me detyrim paraqitje për shtetasit Gentian Sheshi, Kujtim Deliallisi, Albano Hajdari, Armando Lama, Armand Dalipi (Daka)”. Mësohet se arsyeja e lirimit të pesë personave të arrestuar është përfundimi i afatit 45 ditor të mbajtjes në paraburgim.


Ndërsa një javë më parë gjykata e Apelit në Durrës kishte liruar një tjetër person duke e çuar në 6 numrin e personave të liruar nga qelia, nga 14 persona që ishin ndaluar. Ndërkohë janë lënë në burg dy vëllezërit, Indrit dhe Gentjan Beqiraj të cilët kanë dhënë dëshmi për persona që i kishin porositur të kryenin vrasje me pagesë në zonën Tiranë-Durrës.


Në kuadër të operacionit “Porositësi” të zhvilluar në Durrës në pranga ranë 14 persona ndërsa u shpallën në kërkim pesë të tjerë. Sipas dëshmisë të dhënë nga vëllezërit Beqiraj të cilët deklaruan se merrnin 50 deri në 150 mijë euro për një vrasje, kishte qenë Kevin Zeneli ai i cili për llogari të Kasandër Nogës u kishte ofruar një shumë parash në këmbim të eleminimit të Geron Hasanbelliut. Policia shpalli në kërkim pesë persona të tjerë të cilët sipas dëshmive të dy vëllezërve kishin marrë pjesë në grup të strukturuar kriminal. 

Të shpallur në kërkim:
Agron Bejdolli, 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”; Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, 49 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”; Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, 42 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”; (Të akuzuar për pengmarrjen e një prej vëllezërve, Indrit Beqiraj)

Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Kasander Noga aktualisht i arrestuar në Belgjikë.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?