Në Ligën A të Nations League skuadra e Francës u përmbys 1-3 në Paris nga Italia. Paçka se "Gjelat" shënuan pas vetëm 13 sekondave me Barcola, të kaltrit u përgjigjën me Dimarcon, Fratessin dhe Raspadorin.
Pas ndeshjes në shtypin francez pati shumë kritika për djemtë e Deschamps, që u shpërfytyruan në fushën e tyre. Në lidhje me akuzat, trajneri i Bluve është përgjigjur se në duelin e radhës kundër Belgjikës ekipi i tij do ketë tjetër strategji.
“U munduam të dilnim në lojën tonë, por disa gjëra varen edhe nga reagimet e kundërshtarit që në këtë rast, Italia, i pati shumë cilësore. Ata kanë ndryshuar shumë, por jo ambicien e kjo u pa në fushë. Do të provojmë të ndryshojmë diçka kundër Belgjikës të hënën dhe jam i sigurt se do të shihni një Francë ndryshe.
Kritikat nuk kanë munguar ndonjëherë ndaj meje apo ekipeve të mia ndër vite. Janë pjesë e përditshmërisë kur bën këtë profesion. Kjo nuk do të thotë se do të stepemi. Objektiv ynë mbetet suksesi, duke qenë sa më të rrezikshëm në fushën e lojës. Ky grup ka cilësi dhe do të mundohet ta tregojë në ndeshjen e radhës”, përfundoi 55-vjeçari.