Foto e Kastriot Elezit kur u arrestua në Austri më 2011 dhe foto nga vendngjarja

U plagos dje në atentatin e “Don Boskos”, më 2011 Kastriot Elezi u arratis nga burgu në Austri, akuzohej për grabitje! Përdori enë kuzhine, iku nga tubat e ajrimit

4 Shtator, 12:30| Përditesimi: 4 Shtator, 12:52

  • Share

Atentati i djeshëm (3 Shtator) në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, la dy persona të plagosur, njëri nga të cilët që mendohet se ishte dhe shënjestra, më rëndë.

Të plagosurit janë Kastriot Elezi, 45 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, që mori plumb në gjoks dhe Renaldo Metushi, 22 vjeç, ish-kamerier i lokalit ku ndodhi krimi, që ka plagë në këmbë dhe mohoi të kishte konflikte apo të ishte objektivi i atentatorëve.

Policia gjeti makinën e autorëve e djegur në periferi për të zhdukur gjurmët dhe provat, teksa nuk ka ende asnjë të arrestuar, edhe pse posedon pamje filmike. Atentatorët që besohet se ishin 3 persona, mbanin maska dhe u larguan me shpejtësi, pak pas sulmit rreth orës 14:30.

Por Elezi nuk është emër i panjohur për autoritetet e drejtësisë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Përveç precedentit të korrupsionit, ai ka edhe një për grabitje dhe arratisje 13 vite më parë.

Bëhet fjalë për ngjarjen e muajit Gusht të vitit 2011 në Austri, ku së bashku me një shqiptar tjetër, kryen arratisje spektakolare nga një burg austriak, teksa ishin të ndaluar. Elezi ishte kapur për llogari të Shqipërisë, pasi në atë kohë dyshohej për grabitje.

Mediat austriake atëkohë raportonin se arratia u bë nga burgu i sigurisë së lartë të Eisenstadt dhe bëri shumë bujë për strategjinë që u përdor. Bashkë me Elezin, atëkohë vetëm 32 vjeç, ka qenë edhe shqiptari tjetër Kastriot Dushi. Nga hetimet rezultoi se shqiptarët u arratisën duke përdorur mjetet e kuzhinës dhe për t’iu shmangur rojeve të burgut, janë larguar përmes tuneleve të ventilatorëve të kuzhinës.

Arratia u plotësua me përfshirjen e një personi të tretë, që i priste me makinë jashtë burgut, pak pasi ata zbritën nga tubat e ajrimit. Arrestimi i tyre ishte bërë disa muaj para arratisjes, nga agjentët e Interpol Tiranës dhe Vjenës dhe po prisnin plotësimin e dokumentacionit për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë, ku të dy ndiqeshin për veprën penale të grabitjes.

Elezi ka qenë i dënuar për prostitucion në kuadër të grupit kriminal edhe në Itali, dënim që e ka vuajtur dhe aktualisht ishte i lirë. Policia e Tiranës nuk detajoi nëse ai ishte aktualisht i kërkuar apo me dënime dhe masa në mungesë.

Elezi pasi u mor në pyetje nga oficerët, tha se nuk kishte konflikte me askënd dhe nuk e pa dot autorin e sulmit. Kurse Metushi pohoi se ai kishte dalë të pinte kafe me Elezin, në lokalin ku kishte punuar më parë si kamerier dhe ndjeu pas krismave një shpim në këmbë. Gjithashtu mohoi të ketë konflikte.

Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, pas arrestimit në Austri, më 2011

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?