Mungesa e dëmshpërblimeve për ish- ushtarakët nga qeveria është ngritur si shqetësim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, nga ana e deputetit Denis Deliu.
Deputeti tha se ish-ushtaraku nëntetari Aleksandër Peçi, i cili u plagos në një mision ushtarak të NATO në Afganistan në 2012 nuk ka marr dëmshpërblim prej 10 vitesh.
Neglizhenca e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë, sipas Deliut bëri që çdo efektivi të Forcave Speciale të mos i jep shuma prej 5 milionë lekësh.
“Ju falenderojmë për këtë projektligj megjithëse është i vonuar. Në vitin 2012 shteti shqiptar na nis për një operacion luftarak në Kandahar në Afaganistan, pa siguracion jete dhe akoma ditët e sotme Aleksandër Peci u plagos me 4 plumba dhe akoma nuk ka marr dëmshpërblimin e merituar. Në 2014 në qeverisjen shqiptare u fut taksa progresive dhe për një neglizhencë dhe vonesë të Ministrisë së Mbrojtjes shteti shqiptar na mbajti çdo efektivi të forcave speciale nga 5 milionë lekë pa na i dhënë për shkak të një vonese të këshillit të ministrave”, tha ai.
Deliu tha se edhe grupi i forcave speciale i FA që shërben në misionin e KFOR në Kosovë, prej muajsh nuk kanë marr dëmshpërblimin që i takon.
“Aktualisht ministria e Mbrojtjes ndryshoi një VKM për të shpërblyer efektivët e FA që shërbejnë në misionin KFOR në Kosovë, ndryshohet paga për të gjithë efektivët e FA dhe për grupin e forcave speciale nuk ndryshon. Kërkojë nga ju që ta keni në vëmendjen tuaj dhe ky rregullim të bëhet sa më shpejtë. Gabim apo dashakeqësi nuk e di, por ata sot nuk marrin shpërblimin prej 120 mijë lekë në ditë si të gjithë efektivët e tjerët. Edhe një pyetje, nuk e di a po punohet për ndryshimin e vështirësive për repartet e veçanta në Forcat e Armatosura? “, tha ai.