‘U pranova falas!’ Flasin artistët që morën pjesë në masterclass-in e Jahos, Jesku: Xhelozi e fodullëk nga pedagogët, presioni ekziston! Xhelili: Ermonela na motivoi!

24 Prill 2023, 16:30| Përditesimi: 24 Prill 2023, 18:30

  • Share

Ermonela Jaho, pas eksperiencës shqiptare të masterclassit, mori pjesë në mbrëmjen gala të Forumit të Muzikës, ku iu dorëzua çmimi “Artistja e Vitit”... Në 21 prill në Poloni, ajo ishte në qendër të vëmendjes mes 26 artistëve më të mirë të përzgjedhur nga juria prestigjioze e Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike... Pas, në Shqipëri, la një valë të ndezur debatesh, pasi bëri publikisht me dije se në masterclass-in 5 ditor (14-18 prill) të mbajtur në Teatrin e Operas, artistët shqiptarë ishin të paktë, nga 12 pjesëmarrës.

“Kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Dhe do doja të shikoja ca pedagogë të mi, kolegë të mi, që vinin për të shkëmbyer këtë lloj eksperience”, u shpreh sopranoja Ermonela Jaho.

Deklarata e sopranos së njohur, nuk u prit mirë nga disa prej pedagogëve të “Arteve”. Mes tyre tenori Josif Gjipali u shpreh se leksionet e lirikës i ka marrë nga mjeshtërit më të mirë, ndaj nuk e shihte të nevojshëm pjesëmarrjen në këtë masterclass. Ndërsa “u doli në krah” studentëve të “Arteve” , duke mbrojtur aftësinë e tyre për të kënduar... Të tjerë zëra publikë, mbështetën sopranon... Por, entuziazmi pozitiv vihet re tek ata artistë të rinj që u bënë pjesë e trajnimit. Sopranoja Rovena Xhelili është një prej tyre.

“Ishte njeri shumë pozitiv, shumë energjike. Në çdo moment përpiqej të të motivonte sa më shumë. Të të jepte sa më shumë nga vetja, duke na thënë: “Nëse unë ja dola, edhe ti mund t’ia dalësh”, shprehet sopranoja Rovena Xhelili.

Ndonëse Jaho siç bëhet me dije, erdhi në teatër pa asnjë lloj pagese, shuma simbolike prej 50 eurosh në ditë (25 euro për dëgjuesit, për studentët bëhej zbritje) , u diktua në disa prej opinioneve si një pengesë e mundshme për studentët. Por, këngëtari lirik Xhon Jesku, i cili iu bashkua masterclassit si dëgjues në ditën e fundit, thotë se u pranua falas. Dhe se, sipas tij, dyert do të ishin hapur për çdo të ri që do kish trokitur për të marrë pjesë...

“Nuk kishte asnjë polic te dera, as tek holli. Madje nuk kishte një klasifikim as nga vetë këngëtarja Ermonela Jaho për ata të cilët mund të kishin paguar ose jo. Në shumicën e rasteve nuk mund të justifikohej një pedagog vetëm prej pagesës, nuk mund të justifikohej një pedagog vetëm prej saj. Dhe nëse për dikë ishte e papërballueshme, gjenden mënyra të tjera. Nuk mendoj se nuk do të kishte pranuar zonja Jaho dhe Teatri i Operas për një student vërtetë në nevojë”, shprehet Jesku.

 Jesku, i cili ka përfunduar studimet tek "Artet" prej pak muajsh, tregon nëse në Universitetin e Arteve, ekziston ndonjë formë presioni nga pedagogët. Rivalitetin mes artistëve vendas e emrave si Ermonela Jaho, ai nuk e përjashton.

“Të pranojmë që jemi një shoqëri e shtypur. Pedagogu i kantos luan një rol shumë të rëndësishëm. Ai krijon një afrimitet shumë të madh me ty, dhe detyrimisht sado i drejtë apo i pavarur mund të jesh dhe ta edukosh veten tënde si të tillë përsëri ndikon. Nuk po them se të gjithë por patjetër që ekziston, për më tepër që komuniteti artistëve e ka më të theksuar këtë pjesën e xhelozisë”, shton ai.

Për Jeskun, kjo eksperiencë shënon një moment të veçantë. Ndërsa për trajnimin e plotë thotë se pret tetorin e rikthimit të sopranos.

Komento

Komente

  • Lui: 24/04/2023 17:08

    Ore jeni ne vete ju apo jo?! Nese deri dje kam qene me Ermonelen, sot jam kunder Ermoneles. Ose me mire te them kunder asaj qe ka thene Ermonela ne lidhje me mungesen e studenteve shqiptare. Sepse kur thuhet falas, do te thote pa paguar asgje cilido pjesmarres qofte. Mbase vete Ermonela ka ardhur vertete falas, dhe nuk ka qene ne dijeni se cfare ka bere organizuesi i ketij masterklasi. Por dhe te thuash shifer simbolike 50€ ne dite me duket pak si tallje mendereje. I bie 200€ i gjithe masterklasi, dhe per nivelin ekonomik shqiptar eshte shume. Mund te jete ndonje qe e ka mundesine, por ju siguroj qe 90% e studenteve nuk e kane kete mundesi te paguajne 200€ vetem per kater dite masterklas. Nuk Po them qe Ermonela nuk i meriton aq, por nese vertete eshte menduar per nje kontribut per Shqiperine dhe shqiptaret, duhet te ishte vertete falas. Dhe mendoj qe ky ka qene dhe nje tjeter shkak ne lidhje me mungesen e studenteve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?