SHKODËR- Nëna e tre fëmijëve, Anila Ndoka mbylli sytë në spitalin e Shkodrës, duke humbur betejën për jetën, 6 ditë pasi u qëllua me pistoletë në kokë nga bashkëjetuesi Kol Manaj, i cili vrau dhe veten. 44-vjeçarja do të përcillet në banesën e fundit nga familja e saj prindërore në qytezën e Rubikut, në Mirditë.
Ngjarja tronditëse u shënua paraditen e 18 shkurtit në qytetin e Shkodrës, pas mosmarrëveshjeve në çift. Autori Kol Manaj, 10 vite më i ri se ajo, po me plumb në kokë i dha fund jetës në makinën Volksëagen Touran, në pronësi të viktimes.
Në brendësi të makinës, policia gjeti pistoletën pa leje me të cilën 34-vjeçari qëlloi partneren e tij, e më pas veten. Në rrjetet sociale autori tregonte obsesionin ndaj saj ku shkruante ‘nëse e do fort mos hiq dorë dhe mos u lësho për asnjë lloj arsye në botë’.
Krimi tronditi mbarë opinionit publik e veçanërisht familjarët dhe kolegët e Anilës. Ajo ishte divorcuar nga ish-bashkëshorti para 8 vitesh dhe kishte gjetur ‘shpresë’ në një lidhje tjetër, që fatkeqësisht përfundoi tragjikisht. Nga martesa e parë kishte tre fëmijë, më i vogli 10-vjeç, i cili jetonte me të dhe partnerin, ndërsa dy fëmijët më të rritur qendrojnë me të atin.
Së fundmi, Anila kishte tentuar t’i jepte fund bashkëjetesës me Kol Manajn, pasi ai ishte i papune dhe luante bixhoz, por kjo ndarje në tentative i kushtoi jetën.
Prej vitesh punonte psikologe në organizatën ”Gruaja te Gruaja” në qytetin e Shkodrës, ku u shërbente grave e vajzave të dhunuara nga burrat. ‘Ishte një shpresë dhe një mbështetje për ato që kishin vuajtur në heshtje’, shprehen koleget të cilat nuk arrijne ta besojne se Anila nuk e fitoi dot betejën e saj...
Komente
