Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel, Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut europian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.
Performanca u karakterizua nga energji dhe një vizualitet që solli në skenë simbole kombëtare në një formë bashkëkohore. “Zjerm” u dallua për stilin e tij të veçantë dhe përpjekjen për të përfaqësuar një identitet muzikor modern që nuk harron rrënjët. Shqipëria arriti të renditej e 8-ta me 218 pikë, prej të cilave 173 pikë erdhën nga publiku.
Pas këtij interpertimi spektakolar, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Shkodra Elektronike rrëmbeu zemrat e publikut anembanë ndërsa thekson se e nderuan Shqipërinë në këtë rrugëtim me dinjitet e klas.
“Shkodra Elektronike sot rrëmbeu zemrat e publikut anembanë, duke u votuar si një nga performancat më të preferuara të këtij Eurovision!Beatriçe dhe Kolë sollën në skenë jo vetëm muzikë, por një valë të pastër emocionesh që preku zemrat e miliona shikuesve duke e ngritur artin shqiptar në nivelet më të larta!Për ne, ata janë fituesit – sepse nderuan Shqipërinë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, me dinjitet, pasion dhe klas!BRAVO! Krenohemi me ju!”, shkroi Gonxhja.
Komente
