Mes mijëra familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 të cilave po u rindërtohen shtëpitë nga e para, Bashkia e Tiranës ka rindërtuar edhe shtëpinë e familjarëve të Havzi Nelës, poetit të pushkatuar nga regjimi komunist 33 vite më parë. Familja Islamaj e ardhur nga Kukësi në Picallë të Petrelës, përfituese e Programit të Rindërtimit, u vizitua ditën e sotme edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, përveç urimit për shtëpinë e re, u shpreh se puna për rindërtimin nuk ka ngjyra partiake dhe ndasi politike.
Pjesë nga biseda në shtëpinë e re të familjes Islamaj:
Familjari: Ti ke has bash me një ven me ..., na jena si autogol. Ne jemi si ..., unë, jo kjo, si kundërshtarë. Unë jam bash çuni dajës së Havzi Nelës.
Veliaj: Ashtu ë? Nga Kukësi?
Familjari: Kushëririn e parë e kam pas me detyra. Ka qenë kjo në 87-ën...
Veliaj: Ke ardhur këtu para ’90?
Familjari: Jo. Në 2001-in.
Veliaj: Po ke ra në vend të mirë, se këto taroçit janë njerëz të mirë.
Familjari: Ne s’kemi shiku parti. Kemi parë kush punon edhe i kemi zgjat dorën gjithmonë të mirës. Nuk i kemi ndjek këto dredhinat.
Veliaj: Ja si kjo toka, bahçja këtu, po nuk e punove nxjerr frutë. Duke ulërit për parti e për politikë nuk bëhet domatja vetë, kurse tu e prashit...
Kryebashkiaku Veliaj, u shpreh shumë i lumtur për shtëpinë e re të familjes Islamaj, të cilët përfituan një shtëpi të re.
Veliaj theksoi se ritmi i punës nuk do të ndalet edhe gjatë verës për të strehuar të gjitha familjet të cilat janë prekur nga tërmeti i cili “goditi” vendin tonë 3 vite më parë.