Raportuesja speciale e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB -së, Francesca Albanese, një kritike e hapur e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, u sanksionua nga SHBA. Ajo ka folur për La Repubblica lidhur me këtë veprim të SHBA, duke thënë se po përpiqen ta frikësojnë atë dhe këdo që përpiqet të tregojë të vërtetën për gjenocidin që po ndodh në Gaza, duke përdorur metoda si të mafias.
E pyetur se si mund të ndikojnë sanksionet, ajo tha se në planin psikologjik nuk do të kenë asnjë ndikim, ndërsa nga ana tjetër, përmendi se është e mbrojtur nga imuniteti diplomatik i OKB-së. Albanese theksoi gjithashtu se do të vijojë të bëjë punën e saj dhe të dëshmojë atë që po ndodh çdo ditë me njerëzit e Gazës.
Sipas zyrtares së OKB-së, me Netanyahun nuk mund të negociohet për shkak se akuzohet për krime lufte dhe se meriton të gjykohet në Hagë.
Intervista e plotë:
Çfarë përgjigje jep për sanksionet amerikane?
“Nuk dua të komentoj për këtë, por dua të flas për faktin se janë vrarë 60 mijë njerëz në Gaza, mes tyre 18 mijë fëmijë. Lajmi nuk jam unë, por përpjekja për të heshtur denoncimet për gjenocid. Kjo është vetëm lëvizja e fundit fatkeqe nga Shtetet e Bashkuara pas raportit tim të fundit”.
Çfarë denonconi?
“Lufta nuk ndalet për shkak të ambicieve territoriale të Izraelit, të mbështetura nga kompanitë që veprojnë në fushat e armëve, mbikëqyrjes, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, të cilat po pasurohen. Dhe këto armë po i blejmë ne. Pastaj është sistemi kreditues, bankar, fondet e pensioneve, që kanë garantuar rrjedhën e vazhdueshme të kapitalit të nevojshëm për të financuar operacionet”.
Rubio ju akuzon për zhvillimin e një “fushate lufte politike dhe ekonomike kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, që nuk do të tolerohet më”, dhe se harroni përgjegjësitë e terroristëve që sulmuan shtetin hebre më 7 tetor.
“Kam shkruar gjashtë raporte për OKB-në, duke iu referuar gjithmonë nevojës për të hetuar krimet e kryera. I jam referuar ndalimeve arbitrare, trajtimit të fëmijëve, gjenocidit, duke kërkuar që Gjykata Penale Ndërkombëtare të përcaktojë përgjegjësitë. Por SHBA-të në këtë moment janë një vend alergjik ndaj drejtësisë. Prandaj vendosin sanksione ndaj Gjykatës, ose ndaj kujtdo që përpiqet të zbatojë ligjin, duke përdorur teknika intimidimi që kujtojnë mafien. Është pushteti ekonomik dhe politik që përpiqet të heshtë këdo që e kritikon, pasi më parë e ka tallur dhe shpifur për të. Unë denoncoj këtë sistem, i cili funksionon vetëm nëse njerëzit lejojnë të frikësohen dhe përçahen”.
Çfarë prisni nga Gjykata Penale Ndërkombëtare?
“Sektorët e përfshirë, si industria ushtarake, financa e lartë dhe teknologjia, janë shumë të fuqishëm për sistemet gjyqësore kombëtare. Prandaj është e nevojshme përfshirja e institucioneve ndërkombëtare, edhe pse kushtet nuk janë të favorshme”.
Çfarë efekti do të kenë sanksionet ndaj jush?
“Në planin psikologjik asnjë. Në atë praktik, sigurisht që do të ma komplikojnë jetën, por unë jam një e privilegjuar perëndimore, teknikisht e mbrojtur nga imuniteti diplomatik i OKB-së, ndërsa njerëzit në Gaza po vdesin nga uria, vuajtjet apo bombat. Do të vazhdoj ta bëj punën time me shtyllë kurrizore”.
Netanyahu ishte në Uashington për të diskutuar një armëpushim të mundshëm me Hamasin. A nuk do të ishte e dobishme?
“E vetmja lëvizje pozitive e mundshme do të ishte zbatimi i së drejtës ndërkombëtare, e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Izraeli nuk ka të drejtë të vendosë çfarë ndodh në territoret palestineze, të cilat i mban të pushtuara në mënyrë të paligjshme. Nuk negociohet me njerëz të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Netanyahu meriton të gjykohet në Hagë”.
Komente

Bravo zonje i percjell lamet xhdo dit dhe mendja me shkon tek FASHIZMI dhe the se si eshte e mundur qe fashizmi jeton akoma ne shekullin 21 dhe nuk u zhduk kure dhe kryesine e paska ne Den Hag ,Washington ,dhe ne Tel AViv dhe anemban botes qe e mbyllin gojen dhe nuk te ndihmojn turp.
Përgjigju