U sekuestruan në mars, ekspozohen 18, nga 624 objekte me vlerë! Në koleksion, 10 vepra të zhdukura të 'Shën Mërisë' së Labovës, 7 ende të humbura

15 Nëntor 2022, 16:22| Përditesimi: 15 Nëntor 2022, 16:50

  • Share

18 vepra me vlerë, pjesë e koleksionit të sekuestruar si të vjedhur në mars të këtij viti u ekspozuan në Ministrinë e Kulturës. Shumica prej tyre edhe në këtë ekspozitë janë të identifikuara; 12 janë ikona, 3 pjesë ikonastasi, një derë kishe, një shandan dhe “Veshje peshkopale”. Nga koleksioni specialistët kanë përzgjedhur si me vlerë të trashëgimisë kulturore 624 objekte. 

“Janë objekte që janë marrë nga kisha katolike, ortodokse, por edhe nga institucione të tjera fetare”, thotë drejtori i Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore .

Ende në pritje të verifikimeve më të thelluara, Muça tregon se cili mund të jetë objekti më me vlerë në koleksion dhe nuk bëhet fjalë për një ikonë.

“Deri tani kemi të paktën një objekt për të cilin thonë se mund të jetë i shekullit të XV-të. Nuk mund t’ju jap detaje të mëtejshme sepse ky proces kërkon një dokumentim të fortë”, shprehet më tej Muça.

Dy dollapë të kompozuar me derën e Kishës së Shën Kollit të marrë në Vanaj të Fierit me punime të vitit 1778, e një i dytë me fragmente ikonastasi të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta, ekspozohen si dëshmi e mënyrës së dhunshme që janë marrë, dhe keqpërdorimit të tyre.

“Siç e shikoni, hyrja kryesore e Kishës së Shën Kollit, është transformuar në dollap”, shprehet ai.

Nga objektet e ekspozuara, 4 ikona të shekullit të XVIII, si “Prekja e Thomait”, “Metamorfoza e Shpëtimtarit”, “Ringjallja e Llazarit”, “E diela e të parealizuarit” i përkasin kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit. Nga 17 objekte që në vitin 2008 u denoncuan si të humbura në këtë koleksion janë gjendur 10, ndërsa për 7 të tjera nuk dihet ende vendndodhja.

“Nga 2200 objekte që ne i kemi të humbura, ndryshe nga shtetet fqinje si Maqedonia apo Greqia, një pjesë e tyre nuk kanë fotografi dhe nuk janë lehtësisht të verifikueshme. Objektet e Labovës së Kryqit, janë objekte që janë deklaruar të humbura, kanë procerverbale dhe dokumentim të fortë”, tregon Muça.

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, janë tri shtetet kryesore të prejardhjes së këtij koleksioni të sekuestruar, por kthimi i objekteve kërkon një kohë mesatarisht 5-6 vjet, ndërkaq mendohet që të ndiqen modelet e huaja, e ato të bëhen të njohura për publikun.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?