U shfaq në një video nga Afrika pak ditë para se të vdiste, Prigozhin: Gjithçka është në rregull! Mediat: Mund të jetë e 19-20 gushtit

31 Gusht 2023, 14:46| Përditesimi: 31 Gusht 2023, 15:29

  • Share

Një tjetër video e kreut të Vagner, Yevgeny Prigozhin është publikuar në rrjetet e lidhura me grupin mercenar. Pak ditë para vdekjes ai flet për kërcënimet ndaj jetës duke thënë se ndodhet në Afrikë dhe gjithçka është në rregull.

Publikohet një tjetër video e Yevgeny Prigozhin kreu të grupit mercenary Vagner pak ditë para se të vdiste. Ai shfaqet në Afrikë dhe u përgjigjet dyshimeve për mirëqenien e tij dhe kërcënimet për jetën.

"Për të gjitha diskutimet nëse jam gjallë apo jo dhe si jam. Është fundjavë dhe jemi në gjysmën e dytë të gushtit 2023. Unë jam në Afrikë. Për ata që duan të spekulojnë për eliminimin tim, jetën time private, punën time, apo ndonjë gjë tjetër: gjithçka është në rregull,” thotë Prigozhin.

Mediet ndërkombëtare nuk kanë verifikuar ende vendodhjen apo datën e videos së filmuar në një automjet në lëvizje. Referuar asaj që thotë Prigozhin se është "fundjavë në gjysmën e dytë të gushtit" kalkulohet se video duhet të jetë realizuar më 19 ose 20 gusht, disa ditë para vdekjes së tij.

Prigozhin vdiq në 23 gusht kur avioni i tij i biznesit u rrëzua dy muaj pasi ai organizoi një kryengritje të dështuar kundër komandantëve ushtarakë rusë. Kremlini ka mohuar vrasjen e Prigozhin, duke i quajtur vlerësimet e inteligjencës perëndimore për përfshirjen e Vladimir Putin "një gënjeshtër absolute".

Së fundmi Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se hetuesit po konsiderojnë mundësinë që avioni, ku pasagjer ishte shefi mercenar Yevgeny Prigozhin, të jetë rrëzuar qëllimisht.

Ndërsa betejat e ashpra vijojnë në frontin e luftës. Ukrainska Pravda raporton se dy helikopterë Mi-8 u rrëzuan pranë vijës së frontit, Kramatorsk, në rajonin e Donjeskut. Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase e konfirmoi se 5 ushtarë kanë vdekur. Berlini njoftoi këtë të enjte se ka transferuar 10 tanke Leopard 1A5 në Ukrainë si pjesë e paketës së fundit të ndihmës ushtarake për Kievin.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?