TIRANË - Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë nga Këshilli i Ministrave me 25 shtator. Ankimi i tij pezullon automatikisht firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tij si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.
Sonila Bejtja do të jetë relatorja që do të shqyrtojë ankimin e Erion Veliajt. Bejtja u caktua me shpejtësi, vetëm 3 orë pasi mbrojtja e Veliajt depozitoi në Kushtetuese ankimin ditën e sotme, 29 tetor. Shqyrtimi i një kërkese të tillë pritet të zgjasë disa muaj, duke penguar planet e PS për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt.
Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).
Neni 62 i Ligjit për "Vetëqeverisjen Vendore"
Neni 115 i Kushtetutës
Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.
Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike. Kjo normë e Kushtetutës, shton ai, është një garanci e posaçme kushtetuese, “që jo vetëm kufizon kompetencën e Këshillit të Ministrave, por edhe ngre një barrierë ndaj çdo tentative për të relativizuar mandatin e zgjedhur vendor nëpërmjet ndërhyrjeve të ligjvënësit.”
“Këshilli i Ministrave, në krye të vendimit të shkarkimit, ka cituar si bazë ligjore vetëm nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, sikur këto dispozita të ishin të mjaftueshme për të justifikuar kompetencën e tij. Me këtë qasje, do të pretendojë para kësaj Gjykate se akti nuk ka dalë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës. Por një pretendim i tillë është tërësisht i pabazë. Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ka përcaktuar shprehimisht se në cilat raste mund të shkarkohet Kryetari i Bashkisë. Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.”, thuhet në ankimim.
Më tej, Veliaj thotë se pranimi i një akti të tillë nga Kushtetuesja do ta “zhvishte” këtë gjykatë nga kompetencat që i ka dhënë Kushtetuta. Ai thekson gjithashtu se nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për raste të tjera të ngjashme, duke anashkaluar Kushtetutën.
“Në thelb, nuk mund të përdoren instrumente të cilat, përdorin interpretime antikushtetuese të dispozitave ligjore, duke pretenduar ekzistencën e shkaqeve të reja të shkarkimit, përtej atyre kushtetuese, me synimin e arritjes së një rezultati që Kushtetuta nuk e ka parashikuar. Një qasje e tillë, përveçse e papranueshme në një shtet të së drejtës, do të rrënonte vetë funksionin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues dhe e parimeve kushtetuese, si p.sh. ndarja e pushteteve.”, thuhet në ankim.
Por për sa kohë mund të kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese që do të qartësonte edhe situatën politike për kryeqytetin?
Kushtetuesja ka dy precedentë në lidhje me shkarkimin e kryetarëve të bashkisë. I pari është ai për shkarkimin e Shukri Xhelilit, ish-kryebashkiakut të Dibërs në 2016-ën, kur Kushtetuesja doli me një vendim në favor të qeverisë brenda 6 muajve. Ndërsa i dyti, lidhet me shkarkimin e ish-kryetarit të Vaut të Dejës, Zef Hilës, i cili zgjati 2 vite. Hila ankimoi vendimin e qeverisë në 2019-ën, por gjykata u shpreh në 2021-shin duke rrëzuar vendimin e qeverisë e duke i dhënë të drejtë Zef Hilës, me një argument të njëjtë me atë që ka përdorur edhe Erion Veliaj, e drejta për një proces të rregullt ligjor dhe për t’u dëgjuar para vendimarrrjes së shkarkimit.
“Gjykata ka pohuar, gjithashtu, se e drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe nëpërmjet parashtrimit të argumenteve prej tij, ose avokatit të zgjedhur”, thuhej në vendimin për Hilën.
Ditën që firmosi shkarkimin e kryebashkiakut (25 shtator), qeveria njoftoi dhe KQZ, për vakancën. Një akt thjesht formal, pasi zyrtarisht, në raste të tilla njoftohet presidenti, i cili shpall dhe datën e zgjedhjeve. Por nga zyra e kreut të shtetit deklarojnë se deri më tani nuk ka asnjë shkresë nga Qeveria. Rama mesa duket nuk e ka pritur lëvizjen e Veliajt, përsa kohë eci me logjikën e faktit të kryer, duke njoftuar dhe kandidaten për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet Ogerta Manastirliun, e madje duke nisur dhe punën për fushatën. Të bindur se rrjedha e ngjarjeve do të ishte ajo e paracaktuar nga kryeministri, edhe Partia Demokratike nisi përjekjet për gjetjen e një figure përbashkuese me të gjithë faktorët opozitarë. Por të dyja palët, tani do të duhet të presin.
Pikat kryesore te ankimit te Veliajt ne Kushtetuese
Qeveria ka njoftuar KQZ-në për vendimin e 25 shtatorit për të shkarkuar Erion Veliajn nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Shkresa i është depozituar KQZ-së më datë 25 shtator, ditë kur edhe u vendos shkarkimi, por bëhet publike sot vetëm pak orë pasi Veliaj ka ankimuar vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.
“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25.09.2025, ju bëjmë me dije se është miratuar vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj”, thuhet në shkresë.
Në fakt, ky është një akt thjesht formal, pasi zyrtarisht, në raste të tilla njoftohet presidenti i cili shpall dhe datën e zgjedhjeve. Por nga zyra e kreut të shtetit deklarojnë se deri më tani nuk ka asnjë shkresë nga Qeveria.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Filloi "ndeshja" Rama Veliaj. Ndoshta EV do t'i duhet te formoje nje Parti te re... Se Bashkine e Tiranes e humbi.
PërgjigjuErjoni eshte 10 breza nen dhe, po fundi politik i bellos kur do vij ? Kur do pastrohet politika nga mbeturinat ?
PërgjigjuPaska vendos me e marre te gjatin me vete
PërgjigjuGJK,duhet ti japi të drejtë KryeBashkiakut,pasi Shkarkimi tij pse nuk shkoi në punë,është në kundërshtim me GJK,pasi Ai u pengua qëllimisht.KM duhet të priste CENDIMIN GJYQSOR TË FORMËS SË PRERË. Arsyetimi se BASHKIA E TIRANËS KA MBETUR PA KOKË..NUK GJËNDRON.GJK NUK MERRET ME KOKË E KËNBË.AJO DUHET TË ZBATOI LIGJIN QË KA VOTUAR SOVRANI. Më pas SOVRANI TË NDRYSHI LIGJIN PËR PRECEDENT TË TJERË.
PërgjigjuGjykata kushtetuese do ja hedh poshte ankesen sepse krytari i bashkise mund ti drejtohet gjykates kushtetuese kur shkarkohet per shkelje te renda te kushtetutes qe parashikohet ne neni 62 te ligjit per veteq
PërgjigjuCa rendesie ka kjo. Ky proces pritet te zgjase me muaj te tere. Ky po ndihmon vetem PD me kete veprim. Turp tu vije edhe ketyre te Shqiptarja qe nxorren artikuj pambarim per Lalin dhe faktin se po linçohej. Ja ku eshte fytyra e vertete e skuthit i cili u kap ne shkelje dhe tani ben cmos qe tu prishi pune te gjitheve. Tirana ka nevoje per kryebashkiak, smund te vazhdohet me ato zaret e vogla qe jane aty e si ka zgjedhur kush per me teper.