Erion Veliaj

Politikë

Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin: I paligjshëm! Bllokohen zgjedhjet e parakohshme në Tiranë

29 Shtator, 08:51| Përditesimi: 29 Shtator, 11:02

  • Share

TIRANË - Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë nga Këshilli i Ministrave me 25 shtator. Ankimi i tij pezullon automatikisht firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tij si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.

Shqyrtimi i një kërkese të tillë pritet të zgjasë disa muaj, duke penguar planet e PS për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt.

Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).

Neni 62 i Ligjit për "Vetëqeverisjen Vendore" 

 

Neni 115 i Kushtetutës

Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.

Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike. Kjo normë e Kushtetutës, shton ai, është një garanci e posaçme kushtetuese, “që jo vetëm kufizon kompetencën e Këshillit të Ministrave, por edhe ngre një barrierë ndaj çdo tentative për të relativizuar mandatin e zgjedhur vendor nëpërmjet ndërhyrjeve të ligjvënësit.”

“Këshilli i Ministrave, në krye të vendimit të shkarkimit, ka cituar si bazë ligjore vetëm nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, sikur këto dispozita të ishin të mjaftueshme për të justifikuar kompetencën e tij. Me këtë qasje, do të pretendojë para kësaj Gjykate se akti nuk ka dalë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës. Por një pretendim i tillë është tërësisht i pabazë. Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ka përcaktuar shprehimisht se në cilat raste mund të shkarkohet Kryetari i Bashkisë. Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të  nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.”, thuhet në ankimim.

Më tej, Veliaj thotë se pranimi i një akti të tillë nga Kushtetuesja do të “zhvishte” këtë gjykatë nga kompetencat që i ka dhënë Kushtetuta. Ai thekson gjithashtu se nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për raste të tjera të ngjashme, duke anashkaluar Kushtetutën.

“Në thelb, nuk mund të përdoren instrumente të cilat, përdorin interpretime antikushtetuese të dispozitave ligjore, duke pretenduar ekzistencën e shkaqeve të reja të shkarkimit, përtej atyre kushtetuese, me synimin e arritjes së një rezultati që Kushtetuta nuk e ka parashikuar. Një qasje e tillë, përveçse e papranueshme në një shtet të së drejtës, do të rrënonte vetë funksionin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues dhe e parimeve kushtetuese, si p.sh. ndarja e pushteteve.”, thuhet në ankim.

Veliaj u shkarkua me 25 shtator dy ditë pasi Këshilli i Ministrave votoi në një tre kërkesat e socialistëve, demokratëve dhe të Endri Shabanit. Por me ankimimin, pezullohet çdo lëvizje. Socialistët kanë propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për bashkinë e Tiranës, ndërsa opozitarët po zhvillojnë bisedime për të dalë me një kandidat.

Pikat kryesore te ankimit te Veliajt ne Kushtetuese

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • une: 29/09/2025 09:44

    Gjykata kushtetuese do ja hedh poshte ankesen sepse krytari i bashkise mund ti drejtohet gjykates kushtetuese kur shkarkohet per shkelje te renda te kushtetutes qe parashikohet ne neni 62 te ligjit per veteq

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?