Largohet nga sistemi i drejtësisë një tjetër magjistrat. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot (4 korrik) përjashtimin për 15 vite nga drejtësia nëpërmjet lënies në fuqi të verdiktit të shkallës së parë të KPK tre vite më parë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, Andri Ymeri.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtare Ina Rama, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit që Ymeri kishte bërë në vitin 2023, pak muaj pasi KPK e kishte shkarkuar, ku një prej gjetjeve ishte se gjyqtari i bënte proceset shpejt, në pak minuta.
Gjyqtari Andri Ymeri u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 21 dhjetor të vitit 2022, për probleme në të tre shtyllat e rivlerësimit kalimtar.
Andri Ymeri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punoi prej gati dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në vitin 2014, ai iu nënshtrua një procedimi disiplinor me kërkesë të ministrit të Drejtësisë dhe mori nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë masën e “vërejtjes me paralajmërim”.
Pas një procesi maratonë dëgjimor, në 21 dhjetor 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me një vendim të diskutueshëm shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymeri. Trupa gjykuese përbehej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Firdes Shuli anëtare. Andri Ymeri u shkarkua pasi i zhvillonte proceset gjyqësore shpejt (disa nga gjyqet i përfundonte brenda 5 ditëve), se nuk justifikonte 300 mijë lekë të fituara nga babai duke shitur fruta dhe perime, se nuk kishte bashkëpunuar me trupin gjykues etj.
Pas zbardhjes së vendimit, Andri Ymeri i është drejtuar me ankim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të KPK-së si të paligjshëm, arbitrar dhe madje sipas tij, me një fill urrejtje.
Ankimimi i gjyqtarit Andri Ymeri që u shkarkua pse i bënte gjyqet shpejt, ka qenë i pazakontë, për shkak të ironisë therëse për trupën gjykuese, me një fabul të Kafkës me lepurin dhe ariun. Në ankimimin 420 faqe përfshihej një fabul, që përmes figurave simbolike (kafshëve), portretizonte një trupë gjykuese jo të drejtë.
Vendimi i KPA-së:
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 9/2023, datë 27.02.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Andri Ymeri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 604, datë 21.12.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 604, datë 21.12.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Andri Ymeri.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall më datë 03.07.2025, në Tiranë”.
Komente

Opo ky qenka fenomenal qe i beka gjygjet shpejt... nuk i duan ato qe punojne shpejt ne kete komb i duan avazh avazh qe ta rrjepin deri ne piken e fundit... se njoh fare kete tipin por cdo mi non me shpejt avazh mundesisht sa me vonese...
Përgjigju