Sociale

U shkoi letra për shembjen e shtëpive, banorët pranë Amfiteatrit të Durrësit në protestë: Kompensimi i pamjaftueshëm

10 Shtator, 17:25| Përditesimi: 10 Shtator, 17:49

  • Share

DURRES- Vendimi i qeverisë për shpronësimin e 74 familjeve në kuadër të projektit TID (Transformimi i Integruar i Durrësit), i shpallur në fund të muajit korrik, është pritur nga komuniteti si një goditje e papritur, pasi shumica e tyre deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë dijeni se pronat e tyre do të përfshiheshin në projekt.

Kërkesa kryesore e familjeve autoktone është e qartë: mosprishja e shtëpive dhe bizneseve të tyre, ose nëse shpronësimi është i pashmangshëm, dëmshpërblimi duhet të bëhet me vlerën reale të tregut. Banorët theksojnë se nuk do të lejojnë të mbeten pa çati mbi kokë, duke paralajmëruar madje veprime ekstreme në rast se fadromat zbarkojnë për të rrënuar godinat.

Ndërkohë, situata është ndezur edhe më shumë nga fakti se vetëm disa metra larg banesave të prekura nga projekti, një pallat shumëkatësh ka nisur ndërtimin, duke ngritur pikëpyetje mbi logjikën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike që qeveria pretendon se synon.

Sipas vendimit të keshillit te ministrave publikuar ne fletore zyrtare me 31 korrik, shpronësimi i 74 familjeve do ti kushtoje buxhetit te shtetit 315.5 milionë lekë, ose 3.16 milion euro. Banoret pretendojne se vlera e kompensimit eshte me e ulet se sa cmimi aktual i references, 660 euro per meter/katrore.

Projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili do të zbatohet tek “Parku arkeologjik i Durrësit”, ka si synim ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe nxitjen e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Por në terren, ky plan do të prekë rreth 200 banesa dhe biznese, duke shkaktuar kundërshtime të forta nga komuniteti.

R.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?