U shpall ‘non grata’ nga Britania, Berisha reagon për ndarjen nga jeta të mbretëreshës: Më priti me ceremoni në pallatin mbretëror

8 Shtator 2022, 22:51| Përditesimi: 8 Shtator 2022, 22:58

  • Share

Sali Berisha, i shpallur non grata nga Britania e Madhe, ka reaguar për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elisabeth II. Berisha ka kujtuar kohën kur është pritur nga mbretëresha në pallatin Buckingham në kohën kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë. Ai i ka shprehur ngushëllimet familjes mbretërore, ndërsa shkruan se mbretëresha solli stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj.

“Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth e II. Të dashur miq, Elizabeth e II, Monarkja që mbretëroi më gjatë se kushdo në historinë mbretërore të Britanisë së Madhe, plot 70 vjet, ku udhëhoqi me ndere, përkushtim e dinjitet e solli mbi të gjitha stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj, mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vlerash mbretërore e njerëzore, një devotshmëri e integritet të pashoq që do të mbahet mend në kohëra.

Mbretëresha Elizabeth e II ishte personaliteti më i shquar dhe më i dashur e cila me virtytet, mençurinë dhe devocion 70-vjeçar në shërbim të kombit, mbretërisë të saj dhe paqes në botë u shndërrua në një nga personalitetet më të respektuara dhe më fisnike e të dashura të kohës.

Unë kam patur rastin të pritem në Pallatin e Buckingham në audiencë të veçantë nga Madhëria e saj si president i Shqipërisë. Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj.

Duke shprehur vlerësimin tim më të lartë dhe nderimin tim më të thellë për këtë Zonjë të madhe të nderuar në mbarë botën shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Madhërisë së tij Mbretit Charles, familjes mbretërore dhe subjekteve të Madhërisë saj dhe lutem që shpirti i saj i madh të gjejë paqen e amshuar. Amin”, shkruan Berisha.


Lajmi kryesor:

Mbretëresha Elizabeth II ndërron jetë, reagon politika shqiptare! Rama: Lamtumirë! Begaj: Do mbahet mend me admirim! Meta: Humbje e madhe


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?