TIRANË- Pas gati 2 jave, pasi SHBA-ja e shpalli 'Non Grata', biznesmeni Ylli Ndroqi ka bërë me dije se ka paraqitur kërkesën me shkrim pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ku kërkon rishikimin e vendimit të renditjes së tij në listën e të sanksionuarve. Siç bëhet me dije, dokumentet janë paraqitur këtë të martë sëbashku me argumentet përkatëse.
"-Kundërshtoi kategorikisht akuzat që rëndojnë ndaj tij;
-Kërkoi që të respektohej e drejta e tij që të ballafaqohet me elementët e dosjes;
-Informoi Departamentin e Thesarit të SHBA-së për gatishmërinë e tij për një seancë dëgjimore;
-Dokumentoi me prova të pakundërshtueshme shkeljet ligjore dhe falsifikimet e kryera ndaj tij në Shqipëri", thuhet në deklaratë.
Ylli Ndroqi akuzohet nga SHBA se përmes mediave të tij ka përdorur ryshfetin dhe shantazhin për të mos publikuar artikuj negativ. Gjithashtu, Ndroqi akuzohet se ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Edhe në Shqipëri Ylli Ndroqi është në hetim nga SPAK si i përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale dhe investimin e parave të pajustifikuara në bizneset e tij. Madje SPAK ka sekuestruar 32 pasuri të tij përfshirë mediat Ora News dhe Channel One.