Puka sot përjeton një ndër ditët e dhimbshme. Njëri prej fanarëve ndriçues të kësaj krahine, u shua duke lënë pas dhimbjen dhe mungesën e portretit të një burri plot mirësi, dashuri dhe vullnet për t’iu gjendur kujtdo.
Doktor Ndue Cara, sot i trishtoi të gjithë, teksa rrufeshëm u lajmërua vdekja e tij. Doktori më në zë i këtyre anëve, mjeku i dashur, drejtuesi i pashoq dhe kryebashkiaku shembull, për të parën herë lëndoi fort të gjithë ata të cilëve u shërbeu, të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër.
Në raste humbjesh të njerëzve të mëdhenj, dhimbja i kalon kufijtë e familjes. Kështu ka ndodhur sot në Pukë! Doktori iu dorëzua vdekjes, edhe pse prej ditësh inkurajonte të gjithë ato qindra njerëz, që mes dhimbjes e shpresës shkuan dhe e vizituan në dhomat e spitalit.
I qetësonte ata duke u thënë: “Edhe kësaj radhe do t´ia dal me ndihmën e Zotit. Sëmundja është agresive. Deri në korrik do jetë dinamikë sulmi por… “ e pastaj rrudhte supet mes buzëqeshjes që s´i mungoi kurrë.
Doktori për të parën herë s´e mbajti fjalën. Iku duke na lënë pas kujtimet dhe portretin e një burri që do i mungojë jo vetëm Pukës, por dhe Shqipërisë. Ai ishte ndër ata pak kryebashkiakë të Pukës që drejtoi në kohë të vështira, në kohë krizash, por që diti të vendosë balanca e të ruajë ekuilibra edhe atëherë kur situata dukej e pamundur.
Ishte kryebashkiaku që derë më derë mblodhi armët e municionet që mbanin në atë kohë pukjanët në banesa që prej vitit famkeq 97'. Si drejtues i Shërbimit Shëndetësor Ndue Cara ofroi modele që as nuk mendoheshin për kohën, ndërsa si kryetar komune ai i dha jetë Gjegjanit, duke ia prekur çdo detaje duke i dhënë ngjyrat e qytetrimit të munguar, nga një ndër fshatrat pa infrastrukturën më minimale për kohën.
Portreti i tij ishte i skalitur ndër bashkëvendasit, por dhe qindra bashkëpuntorë në mbarë Shqipërinë, si njeriu që nuk dinte të pushonte, nuk dinte të thoshte “Jo”, por veç të ofrohej me sa e si mundte.
Edhe pse në pension, ndryshe prej shumë kolegëve nuk zgjodhi klinikat, refuzoi emërimet e luksit dhe kërkoi të shërbente atje,në skajin më të largët, siç ishte Fierza, ku u përkushtua deri sa sëmundja ia bëri të pamundur më bashkëjetesën me banorët e thellësive të Veriut, për të cilët ai aq shumë përkujdesej.
Në takimin e fundit, në një prej dhomave te kirurgjisë po e ngacmoja, “Mos rri gjatë, se në Fierzë të presin!”. Me Zellin që s´i mungonte e me zërin që shpoi fort në muret e asaj dhome më tha: “Ilaçet j’ua kam çuar edhe këtë muaj nuk besoj se do kenë problem.
Por, unë sot mendoj se ata tashmë do kenë gjithnjë problem, sepse ashtu si më parë, kur atje nuk ishte mjek Ndue Cara, dhe sot e tutje do vuajnë për shërbimet më minimale e ambientet e krijuara me aq kujdes prej tij. Po, do i kthehen harresës prej së cilës ai i nxori teksa vetë vuante në kontejnerin kthyer shtëpi, vetëm që t´u shërbente njerëzve të atyre anëve.
Pak kush e di, që për të mos thënë jo qindra herë u gjobite nga inspektorët për lëshimin e barnave me rimbursim dhe atëherë kur nuk rimbursoheshin. Si më the herën e fundit kur po e flisnim për këtë. “Aiii, ndashtë bre, ma mirë unë pesëdhjetëmijë gjobë se sa të sëmurët pa ilaçe”
Humbjet nuk janë kurrë të lehta, por kur shuhet njerëz të mëdhenj, pesha e dhimbjes rëndon fort, e kur shuhen shembuj të një komuniteti, ajo lë gjurmë që s’fshihen lehtë. Këtij qyteti, do i mungojnë hapat e tua të lehtë e vendimtarë, teksa ktheheshe në fundjavë prej Fierzës së largët.
Ne, bashkëqytetarëve do na mungojnë këshillat e tua të vyera miqësore. Kësaj krahine do i mungojë burri i ekuilibruar, i cili diti me fal veç mirësi e harmoni politike, fetare e krahinore.
Lamtumirë Doktor Ndue Cara!
Lamtumirë o mik i mirë i të gjithëve!
Faleminderit për kontributin që dhe e mbi të gjitha për shembullin e një burri që nuk lodhej kurrë prej shërbimit ndaj të tjerëve!
Komente

Respekt per kete njeri te madh,te ndershem e patriot.Qofte i lehte dheu ku do te prehet.Ngushellime te perzemerta familjes e te afermve!
PërgjigjuE kame njohur doctor Ndue Caren qe nga viti 1979. Humbja e tij e parakoheshme kur Ai ishte shume aktiv ne sherbim te popullit eshte e rende per kedo qe e njohu. Une ruaj respetin me te thelle perTa dhe familien e tij shume te mrekullushme.Jame larguar nga Puka net vitin 1986 duke ruajtur per pukjanet respektin e dashurine me te thelle njerezore.Njeri prej tyre qe shefi i shendetesise Ndue Cara. Nushllime families dhe popullit qe Ai e deshi dhe I sherbente aq shume deri ne frymen e fundit.Qofte I paharruar kujtimi I tij.