TIRANË- Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve pranë PD-së përmbylli dje procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore e tashmë lista do ti dorëzohet kryetarit dhe Zv. kryetarit.
Nga 3593 kandidatë të propozuar, në listën përfundimtare janë 326 kandidatë. Kujtojmë se mes të skulifikuarve është dhe Ervin Salianji, Endri Hasa, Nada Meçorapaj, Lindita Metaliaj, Romeo Gurakuqi, Xhemal Gjunkshi, Fatbardha Kadiu.
Përjashtimi i disa kandidatëve është bërë bazuar në disa kritere, se sa të aftë ishin për të maksimalizuar votën. Një tjetër kriter është edhe vota kundër gjatë fazës së parë të votimit, pasi kujtojmë se në disa qarqe ka patur vota kundër për disa kandidatë për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021-shit.
Të gjithë emrat qe janë përjashtuar në këtë fazë nuk do të jenë pjesë e listës finale të kandidatëve për deputet të PD, që edhe mund të sjellë surpriza të tjera në vazhdim.
Deklaratë e komisionit të vlerësimit të kandidatëve
Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve pranë PD-së përmbylli dje procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Ky proces, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, është vlerësuar pozitivisht nga anëtarësia e PD-së, opinioni publik dhe mediat. Komisioni e vlerëson procesin në tërësi si një akt emancipues në politikën shqiptare.
Komisioni e ndau punën në 3 faza: nga 03 gusht 2020 deri ne 22 tetor 2020. Pas një pune intensive dhe voluminoze komisioni përfundoi vlerësimin për 3593 kandidatë të propozuar, në një listë përfundimtare prej 326 kandidatësh të propozuar për përfaqësim politik në zgjedhjet e ardhshme politike apo lokale.
Komisioni, i dorëzoi sot Kryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH, listën përfundimtare të kandidatëve për ndjekjen e procedurave të mëtejshme sipas Statutit.
Përfitojmë nga rasti për të falenderuar anëtarësinë për pjesëmarrjen masive në votime, strukturën e PD-së, përfaqësuar në këtë proces përzgjedhjeje nga Sekretariati teknik, si dhe kandidatët e propozuar që ndihmuan realizmin e këtij procesi transparent, qytetar dhe të përgjegjshëm.