Erkand Qerimaj është një nga katër sportistët që nderuan Shqipërinë në Lojrat Mesdhetare, duke fituar medalje të argjendtë në peshëngritje. Për Report TV shkodrani i cili garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, shprehet shumë i lumtur përë këtë arritje, por jo vetëm.
“Është një kënaqësi për mua sepse brenda muajit mora dy medalje. E para medalje ari në kampionatin europian dhe kjo e dyta nënkampion mesdheu. Dy medalje shumë të rëndësishme si për mua, familjen, por edhe për gjithë Shqipërinë,”-u shpreh Erkand Qerimaj, peshëngritës.
Qerimaj medaljen në Oran të Algjerisë pothuajse e mori me dhunë, pasi arbitrat me tendencë e quajtën fillimisht të gabuar provën ku ngriti 149 kilogramë. Kjo situatë e nxorri nga kontrolli peshëngritësin.
“Me thënë të drejtën u tërbova fare sepse unë pata një provë të saktë, por gjyqtarët deshën ta anulonin dhe ti shkonte medalja Egjiptit. Për këtë arsye unë u acarova shumë dhe reagova me të drejtë. Pastaj në protestuan shumë dhe nuk e kaluam kollaj. Për këtë arsye ata e kthyen videon dhe panë që nuk kishte faul,”-tha Erkand Qerimaj, peshëngritës.
Qerimaj thotë se për shkak të irritimit me arbitrat nuk garoi në shtytje, ndërsa saktëson se ky nuk ishte problemi i vetëm me organizimin e Lojërave Mesdhetare në Oran.
“Eksperiencë e vështirë sepse me Luiza Gegën ngatërruan himnin, ndërsa edhe diplomën e kishin shënuar si të ishte qipriote. E kishin shënuar sikur nuk është shqiptare. Edhe shtete e tjera patën ankesa sidomos për gjyqtarët,”-deklaroi Erkand Qerimaj, peshëngritës.