Deputetja aktuale e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe njëkohësisht një nga kandidatet e tërhequra nga lista e hapur e PD-së për Fierin në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Ilda Dhori, ka folur për Report Tv në lidhje me rezultatin e thellë që Partia Socialiste arriti në këtë qark.
Ajo ka thënë se është e ‘shokuar’ me këtë rezultat të arritur, ku nuk i kurseu akuzat për deformim të vullnetit të qytetarëve përmes presioneve dhe shitblerjes së votës. Ajo tha se këto fenomene ishin të pritshme, duke qenë se pushteti i siguron Edi Ramës të gjitha armët për të mos dorëzuar pushtetin në mënyrë të drejtë.
‘Nuk dua të heq asgjë nga ato që thuhet për shitblerje vote apo për deformim të vullnetit të qytetarëve me anë të presioneve, dhe këto janë gjëra që ne i kishim në një farë mënyre në pritshmëritë tona. Ne nuk mund të presim që Edi Rama mund të dorëzojë apo të falë pushtet, pa përdorur këto armë që pushteti ia siguron atij që është në pushtet, por mund të them që nëse vullneti ose fryma do të ishte shumë e fortë, qytetarët do të ishin të lirë, do të kishin votuar pa asnjë lloj hezitimi për PD.’ -tha Dhori.
Duke kujtuar zgjedhjet e vitit 2021, Dhori theksoi se atëherë PD arriti thuajse barazim me PS-në në Fier, ndërsa këtë herë rezultati është shokues.
‘Ne në 2021-shin e çuam këtë qark gati në barazim, ndërkohë që LSI-ja kishte një mandat të siguruar. Kështu që ne gati shkuam 8 me 8, ndërkohë që sot unë jam shokuar me këtë rezultat, për faktin që ka marrë 12 mandate Partia Socialiste.’ - tha ajo.
Sipas saj, një tjetër faktor që ndikoi në rezultatin negativ të PD-së në Fier ishin edhe listat e partive të vogla, ku, sipas Dhori-t, shumë kandidatë ishin të lidhur me struktura të djathta, duke ndikuar në ndarjen e votës opozitare.
‘Sepse ka pasur diçka që duhet specifikuar, përfaqësuesit e partive të vogla kanë pasur në listën e tyre kandidatë që vinin kryesisht nga fise të djathta.’ -vijoi Dhori.
Dhori bëri thirrje për një lidership të rinovuar, duke lënë të kuptohet se thirrja e saj shkonte për drejtuesin politik të qarkut të Fierit, Gazment Bardhi, dhe për kreun e PD-së, Sali Berisha.
‘Unë mendoj që secili bën reflektimin e vet, nëse do të ketë ndërgjegje. Edhe pse kjo pjesë në politikë nuk është e zakonshme. Unë nuk mund të vë gishtin në një person. Ajo që unë di të them dhe e kam theksuar edhe më parë, unë kam qenë dhe kam kritikuar dhe lidershipin e PD-së. Nuk hyj sot te ata njerëz që të bërtas me të madhe e të them se Sali Berisha duhet të iki e zgjidhet gjëja. Një lidership i rinovuar i PD-së do të ishte shumë konkurrues.’ -tha Dhori.
Sjellim në vëmendje se Dhori, kur u tërhoq nga kandidimi në listën e hapur për zgjedhjet e 11 Majit, shprehu zhgënjimin me anë të një reagimi në Facebook, ku tha se Divjaka nuk është përfaqësuar në listën e zgjedhjeve.
Ajo tha se tërhiqej duke kritikuar ashpër garën në PD dhe duke u shprehur se përfaqësimi në Parlament bëhet me “pazare nën rrogoz”.
Komente
