Ekipet e Tiranës, Teutës dhe Studentit në boks janë akuzuar nga federata e këtij sporti, por edhe nga trajnerët e ekipeve të tjera se braktisën pa arsye kampionatin kombëtar të zhvilluar në fundjavë. Sipas tyre një incident i vogël la me dhjetëra sportistë pa ndeshje, edhe pse disa kishin udhëtuar nga Gjermania. Por pala e akuzuar pretendon të kundërtën. Trajner i ekipit të Tiranës në boks thotë se gjatë aktivitetit pati dhunë që kjo është e patolerueshme në sport.
“Aty ndodhi një incident ku pjesëtarët e klubit Flamurtari bashkë me tifozërinë sulmuan një nga arbitrat e kampionatit. Po ashtu edhe presion ndaj arbitrave të tjera,”-u shpreh Sead Bushati, trajner i Tiranës në boks.
Trajnerët që tërhoqën ekipet nga gara pretendojnë se këtë e bënë në respekt të arbitrit të dhunuar.
“Me gjithë atë presion që arbitrat kishin të gjitha ndeshjet tona ishin të humbura. Fillimisht e bëmë sepse u pajtuam me arbitrin që u rrah dhe e dyta në ato kushte nuk do kishte më asnjë ndeshje të drejtë,”-tha Renato Kurti, trajner i Tiranës në boks.
“Ishin mbi 100 veta te kokat e arbitrave. Është e pamundur në këto rrethana për të vazhduar. Kjo është shkelje e jashtëzakonshme e federatës sonë që ka qenë e fjetur gjatë gjithë kësaj kohe,”-u shpreh Enton Kikrri, trajner i Teutës në boks.
Në lidhje me largimin nga gara ekipet e Tiranës, Teutës dhe Studentit shprehen se janë të gatshëm ta nisin aty ku e ndërprenë kampionatin me kusht që mos të ketë presion te arbitrat.
“Aktiviteti u ndërpre në gjysmëfinale dhe ne kërkojmë që të rifillojë me ato ndeshje siç ishin në program,”-deklaroi Enton Kikrri, trajner i Teutës në boks.
Për ngjarjen në fjalë, dhunimin ndaj arbitrit, ka pasur edhe një denoncim në policinë e Vlorës.