Shpella e shkruar në Lepenicë një nga veprat e rralla të arkeologjisë prehistorike e cila prej vitesh ishte lënë në harresë. Ajo ka rënë pre edhe akteve vandale nga persona të paidentifikuar duke dëmtuar shkrimet e rralla. Ajo mbart brenda saj me shumë se 40 shkrime e ndodhet në verilindje të Malit të Lepenicës në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit.
Shpella është realizuar në tavanin e strehës së shkëmbit, e lartë 3,5 metra, mbi një sipërfaqe të sheshtë dhe prej dy muajsh Instituti i Arkeologjisë së Tiranës, Shkolla e Lartë e konservimit e Galicias ne Spanjë dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës po zbatojnë projektin kërkimor shkencor: ”Lepenica, 2019″. Sipas drejtorit të kulturës, Orgest Feimi shpella gëzon statusin në mbrojtje dhe gjithë studimi bëhet në mënyrë që të kalohet dosja për ta shpallur monument kulture.
Ndërkohë sipas profesorit Fernando Carrera profesor në shkollën e lartë të konservimit Galicia në Spanjë, prej 2 muajsh po punohet për të rikthyer në identitet shpellën e shkruar të Lepenicës.
"Jemi këtu për të bërë shumë gjëra. E dimë që vendi ku jemi këtu është me një rëndësi të veçantë, nga më të rëndësishmit, është e një rëndësie të madhe jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Është shumë e dëmtuar, e abuzuar dhe ne po përpiqemi të rikthejmë këtë shpellë. Ka nevojë për një dokumentim të ri, sepse këto që kemi janë të vjetra dhe duhet të provohen.
Ne duhet të bëjmë disa testime që duan disa kohë. Koleksionusit tanë arkeologë po bëjnë gjithashtu mbledhjen e kronologjisë së kohës, se cilës kohë i përkasin këto shkrime të zbuluara në këtë shpellë. Kolegët janë duke kërkuar përreth për gjurmë të tjera dhe të reja, për të kuptuar kronologjinë dhe kulturën e banorëve të atëhershëm. Shpresojmë që të ndihmojmë popullin shqiptar në dokumentimin e hieroglifeve të gjendura në shpellë" tha Fernando Carrera profesori spanjoll.
Sipas arkeologut shqiptar Rudenc Ruka shpella paraqet një nga rastet më të veçanta të artit shkëmbor në Shqipëri. "Është rasti i parë i një studimi të vazhdueshëm që ka nisur që në vitet ‘70. Ekspedita me ekipin spanjoll përvec pastrimit të pikturës që janë dëmtuar, duam ti japim edhe një status ligjor. Kjo pikturë daton në mijëvjeçarin e 2 para Krishtit dhe është me kompleksja e artit shkëmbor prehistorik. Kjo shpellë mbart një numër të madh figurash dhe lidhja midis tyre është e vështirë të japim një përgjigje konkrete pasi jemi në një faze dokumentimi.
Nga ajo që shohim deri tani duket se i përket një kulture më të gjerë të botës mesdhetare. Në këtë shpellë janë gjetur ideograma pasi nuk kemi të bëjmë me një gjuhë të shkruar. Në këto imazhe paraqitja e mashkullit është shumë prezente ku mendohet se janë periudha e bronzit ku ka qenë për aspektin e saj luftarak. Shpella është sa intime në marrëdhnie me shikuesin po aq dhe publike. Ajo mbizotëron mbi gjithë luginën. Ne jemi duke kryer dhe servim arkeologjik për të kuptuar se cfarë marrëdhënie ka patur kjo shpellë me luginën e Vlorës" tha Rudenc Ruka arkeolog.